Nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”, edhe pse janë paguar me para publike, opinioni nuk e di se ku kanë shkuar këto para, shkruan Portalb.mk.

Miliona denarë për punësime jotransparente

Portalb.mk ka hulumtuar kontratat për punësime të përkohshme në portalin e prokurimeve publike, nga ku rezulton se Komuna e Tetovës së bashku NPK “Tetova Transport” dhe NPK Sharri për katër vite kanë shpenzuar në total 102.378.130 milionë denarë për punësime të përkohshme përmes Agjencisë Private Xhob 2011, që i bie rreth 1,663,826 euro.

Vetëm Komuna e Tetovës ka shpenzuar 57,059,998 denarë apo 927,326 euro për katër kontrata që ka lidhur në 2022, 2023, 2024 dhe 2025.

Ajo që vërehet është se në vitin 2025, vitin zgjedhor, vlera e kontratës është shumë herë më e lartë se në vitet paraprake.

Edhe NPK “Tetova Transport” ka lidhur kontratë secilin vit nga 2022, 2023, 2024 dhe 2025, vlera totale e kontratave është 15,518,132 denarë apo 252,197 euro.

Ndërkaq NPK Sharri ka lidhur kontrata vetëm në vitin 2024 dhe 2025, pasi kjo ndërmarrje është e re, për këto dy vite kjo ndërmarrje ka lidhur kontrata në vlerë prej 29,800,000 denarë apo 484,303 euro.

Institucionet heshtin
Nga Komuna e Tetovës, NPK “Sharri” dhe “Tetova Transport” kërkuam listën e punëtorëve të cilët i kanë angazhuar përmes kësaj marrëveshjeje, pagat dhe funksionin që e kanë kryer, por nga këto institucione nuk morëm përgjigje.

Nga Agjencioni “Xhob 2011” për Portalb.mk thanë se nuk mund të japin informata me arsyetimin se të dhënat e kërkuara janë sekret afarist.

“Ne si agjenci jemi të detyruar t’i ruajmë ato për kohëzgjatjen e kontratës, si dhe pas përfundimit të saj me klientët tanë, për të gjithë klientët dhe bashkëpunëtorët tanë, ndërmarrjet private dhe publike në përputhje me Ligjin për të Dhënat Personale. Ne jemi një agjenci private, jo institucion publik, dhe kërkesa juaj duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse, të cilat në këtë rast nuk jemi ne”, thanë nga Xhob 2011.

Kërkesën e njëjtë e kemi dorëzuar në Komunën e Tetovës edhe përmes Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik ku institucionet janë të obliguara që të kthejnë përgjigje brenda afatit ligjor prej 20 ditëve.

“Pritëm ndryshim por ndryshuan vetëm aktorët”
Fatkeqësisht ndryshimin që e pritëm se do të bëhet me ndryshimin e qeverisjes së komunës, nuk u bë por u bë vetëm ndryshim i aktorëve të cilët qeverisin në komunë. Kështu i tha Portalbit aktivistja Elmedina Abdullai nga Më Mirë për Tetovën.

“Me ardhjen e qeverisjes aktuale në detyrë ata publikuan të gjitha listat e personave që ishin angazhuar që të punojnë me kontratë në vepër në komunën e Tetovës me arsyetimin që janë duke i nxjerrë në pah të gjithë keqpërdorimet çka janë bërë nga udhëheqësia paraprake. Kjo në atë kohë na dha një shpresë që do të ndryshojnë gjërat, por fatkeqësisht jo që nuk ndryshuan gjërat por edhe u keqësuan, domethënë vazhdoi avazi i vjetër, të njëjtat keqpërdorime u bënë edhe nga udhëheqësia aktuale por tash në një mënyrë më të avancuar duke i fshehur emrat e personave të cilat janë të angazhuar ose në Komunën e Tetovës ose në ndërmarrjet që janë themeluar nga Komuna e Tetovës”, tha Abdullai.

Ajo shtoi se kjo len hapsirë për dyshime nëse është bërë keqpërdorim edhe nëse të gjithë ato persona që paguhen nga paratë e qytetarëve janë realisht të punësuar ose janë vetëm aktivistë partiak të cilët punojnë për partinë e cila është në udhëheqësi.

“Punësohen aktivistë që nuk e dinë ku ndodhet komuna”
Hamit Hajrullai nga BDI thotë se askush nuk ka qasje te këto të dhëna se kush janë të punësuarit nëpërmjet agjencionit privat të punësimit “Xhob” në ndërmarrjet komunale, ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit Komuna e Tetovës, NP “Tetova Transport” dhe NPK “Sharri” kanë harxhuar 77,360,000 denarë për punësime, të cilat qytetarët nuk i dinë se kush janë.

“Pse bëhen në këtë mënyrë? Ne kemi të drejtë të dyshojmë se bëhet fjalë edhe për nepotizëm edhe për punësimet e aktivistëve partiakë që ndoshta as nuk e kanë idenë se ku ndodhen këto ndërmarrje dhe objekti i Komunës së Tetovës, domethënë vetëm për të financuar përkrahësit e tyre dhe aktivistët e tyre, jo për të mirën e qytetit, sa për të mirën e qytetit të gjithë e dimë se punëtorët realë të NPK të Tetovës gati 18 muaj nuk i kanë të paguar kontributet e sigurimit shëndetësor dhe pensional”, tha Hajrullai.

KSHPK-ja formoi lëndë
Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deri më tani nuk është regjistruar ndonjë lëndë për këtë rast. Megjithatë pas pyetjeve të dorëzuara nga Portalb.mk, KSHPK-ja formoi lëndë.

“Në kolegjiumin e sotëm (27.08.2025), Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me iniciativë të vetën dhe mbi bazë të informacionit të marrë, ka formuar lëndë lidhur me pretendimet në pyetjen tuaj”, thanë nga KSHPK.

Kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Pavarësisht premtimeve për transparencë, Komuna nuk i ka treguar emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës përmes agjencisë për punësim “Xhob 2011”, ata në disa raste kanë publikuar vetëm të dhëna për kontratat në vepër, shpesh herë pas presionit të opinionit publik dhe mediave.

Në ndërkohë Komuna e Tetovës mbetet ndër komunat me borxh më të madh, me mbi 9,5 milionë euro.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të kaluarën ka alarmuar se me punësimet e përkohshme bëhen manipulime.

Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.