Pothuajse një e katërta, ose 23,7 për qind e të rinjve në vend, të moshës 15 deri në 19 vjeç, as punojnë, as mësojnë, as trajnohen. Të dhënat u publikuan nga shoqata “HERA” me rastin e Ditës së të Rinjve, duke përcjellë mesazhin “të rinjtë nuk janë hashtag, por prioritet”. U kërkua që të rinjtë të jenë partnerë të barabartë në marrjen e vendimeve dhe krijimin e së ardhmes. Ne i pyetëm njohësit e fushës se cilat janë arsyet e joaktivitetit të të rinjve në kërkimin e punës. Thonë se ka ndarje në konceptet e kuptimit, të rinjtë e dinë saktësisht çfarë kërkojnë në punësim dhe, ndryshe nga gjeneratat e mëparshme, ata nuk do të punonin asnjë ditë falas.

“Ata do të prisnin që ne të komunikonim shumë më tepër me ta dhe t’u ofronim shumë më tepër oferta. Ndërsa, nga ana tjetër, pritet që ata të jenë mjaft të aftë në përdorimin e mediave sociale dhe të komunikojnë shumë më lehtë me ne. Pra, këtu ekziston një ndryshim i madh. Pastaj, një ndryshim i madh është edhe tek fakti se pritjet tona janë që secili të fillojë shkallë pas shkalle. Pritjet e tyre janë që menjëherë të ngjiten në shkallën më të lartë. Dhe këto janë pritje të tyre normale, dhe ne duhet t’i kuptojmë”, tha Darko Velkov, Vrabotuvanje.com.

Vellkov mendon se duhet të ndryshohen shumë ligje dhe t’u mundësohet të rinjve që nga mosha më e hershme të përfshihen në biznes dhe industri, të jenë si praktikantë ashtu edhe pjesëmarrës në biznes.
Sipas Shoqatës “HERA” – Shoqatë për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor, fakti që 23,7 për qind e të rinjve janë joaktivë është një e dhënë shqetësuese, pasi është shumë mbi mesataren evropiane dhe një sinjal serioz për mungesë kujdesi sistematik ndaj kësaj gjenerate.

“Të dhënat nga Strategjia Kombëtare për të Rinj 2023-2027 tregojnë se të rinjtë në vend përballen me qasje të kufizuar në shërbime, nivel të ulët pjesëmarrjeje në jetën publike dhe mosbesim në institucione. Më shumë se dy të tretat e të rinjve mendojnë se nuk janë të përfshirë në mënyrë të duhur në procesin e vendimmarrjes dhe madje 70% e të rinjve nuk janë të interesuar për politikën.

Njëkohësisht, nga aty alarmojnë se situata me shëndetin mendor është po aq shqetësuese. Madje 64% e vajzave 15-vjeçare ndiejnë dy ose më shumë shqetësime psikosomatike një herë në javë, dhe deri në 53% kanë gjendje depresive.

Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se në vend, në qershor, ka pasur mbi 97.000 të papunë dhe 43.700 persona të tjerë që kërkojnë punë. Nga të papunët, 18.719 ose pothuajse një e pesta, janë të moshës 15 deri në 29 vjeç. Të dhënat tregojnë se pothuajse 22.000 persona presin për punë nga 5 deri në 7 vjet, dhe gati 13.000 për më shumë se 8 vjet. Pjesa më e madhe, pothuajse 58.000, janë pa arsim ose vetëm me arsimin fillor. Në listë janë edhe 622 me master dhe 25 doktorë shkencash.