Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, të shtunën i ka bërë thirrje qeverisë së Kroacisë që të ndërpresë tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake me Izraelin, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Kroacisë, duke shtuar se Milanoviq që në muajin maj kishte urdhëruar ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak me këtë shtet.
“Meqë blerja dhe shitja e armëve dhe pajisjeve ushtarake është në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, presidenti i Republikës i bën thirrje qeverisë që të veprojë njësoj dhe të ndërpresë tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake me qeverinë aktuale të shtetit të Izraelit”, tha zëdhënësi Nikola Jeliq.
Sllovenia, këtë javë, si shteti i parë evropian që merr një masë të tillë, ka marrë vendim për ndalim të eksportit dhe tranzitit të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga apo përmes Sllovenisë drejt Izraelit, si dhe të importit nga Izraeli në Slloveni.
Jeliq shtoi se Milanoviq, si president dhe komandant suprem i forcave të armatosura të Kroacisë, “në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese, ka urdhëruar Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë të ndërpresin çdo formë të bashkëpunimit ushtarak me ushtrinë izraelite që në muajin maj të këtij viti.”
“Me këtë vendim janë njohur edhe anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes në mbledhjen e mbajtur më 23 maj”, shtoi ai.