Zyra e presidentit të Malit të Zi ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i ka dërguar një mori kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme presidentit, Jakov Millatoviq, menjëherë pasi është bërë publike se kreu i shtetit e ka kthyer Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme në Kuvend për rishqyrtim.

Në mbrëmjen e 1 gushtit, kabineti i Millatoviqit e ka thirrur kryeministrin Millojko Spajiq që menjëherë ta shkarkojë Gjeloshajn, dhe që gjithçka është raportuar te drejtori i Policisë.

Zyra e presidentit vlerëson se arsyeja për kërcënime ka të bëjë me disa konteste në gjykatë që i ka Komuna e Tuzit me kompaninë “Plantacionet e 13 korrikut”, lidhur me llogaritjen (e paligjshme) të taksës së pasurisë së paluajtshme mbi tokën bujqësore.

“Për këto konteste ka mospajtime rreth llogaritjes së paligjshme të taksës vjetore në pronë të paluajtshme që Komuna e Tuzit e ka arkëtuar përmes ngrirjes së llogarive. Kompania Plantacionet është detyruar të kërkojë drejtësi dhe kthimin e fondeve përmes gjykatave. Këto procedura zvarriten me vite dhe të gjitha vendimet që janë marrë nga Gjykata Administrative për apelet e kompanisë, tashmë kanë qenë në të mirë të saj”, është thënë në deklaratë.

Sipas kabinetit të Millatoviqit, “rolin kryesor në atë proces e ka pasur zëvendëskryeministri aktual, atëherë kryetar i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kundër të cilit kompania Plantacionet ka ngritur kallëzim penal para Zyrës së Kryeprokurorit Special të Shtetit”.

Mospajtimet në mes të Komunës së Tuzit dhe kompanisë Plantacionet kanë vazhduar me vite.

Me krijimin e Komunës së Tuzit, një pjesë e mirë e tokave të kompanisë kanë rënë nën territorin e qeverisjes lokale.

Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj është përgjigjur përmes një deklarate, duke thënë se Millatoviq është duke tentuar t’i përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga tema kryesore, e ajo është që presidenti ka refuzuar të nënshkruajë Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme, njofton REL.

Ai ka pretenduar se Millatoviq ka refuzuar të nënshkruajë ligjin për shkak të “lidhjeve të tij si kumbari me Nebojsha Vuksanoviqin, ish-presidentin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Plantacionet, me qëllim përfitimin personal për vete dhe për të”.

Nebojsha Vuksanoviq është ish-anëtar i Partisë Popullore Socialiste.

Presidenca e Malit të Zi ka thënë se ai nuk është kumbara e Millatoviqit dhe që është angazhuar si ndihmës në zyrën e presidentit.

Millatoviq është thënë ta ketë kthyer ligjin në Kuvend për shkak të, siç ka pretenduar ai, shkeljeve kushtetuese në dokument, paqartësive ligjore dhe mundësisë që 22.000 fermerë t’i humbasin lehtësimet tatimore.

Në disa mesazhe që janë publikuar nga Millatoviq në platformën X – dikur Twitter – ai i ka thënë Gjeloshajt se nuk do të dorëzohet ndaj presionit kur bëhet fjalë për Kushtetutën, dhe që do të respektojë ligjin dhe interesat e qytetarëve dhe shtetit.

Gjeloshaj, në anën tjetër, ka shkruar: “Nuk duhej të ishe futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”.

Në vazhdimin e bisedës, ai i ka thënë Millatoviqit: “Do ta marrësh përgjigjen që meriton”.