Presidenti i Shkëndijës me mesazh para ndeshjes ndaj Qarabagut: Tregoni kulturë, jo urrejtje – Shkëndija mbi të gjitha!
Në prag të përballjes vendimtare ndaj Qarabagut në kuadër të turit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve, presidenti i KF Shkëndija Lazim Destani ka shpërndarë një mesazh të fortë për të gjithë tifozët kuqezi dhe opinionin sportiv në vend informon Tetovasot.
Ai thekson se emocionet për rrugëtimin europian janë të mëdha, ndërsa ëndrra e Shkëndijës për kualifikim është më e gjallë se kurrë më parë.
“Me përkushtim dhe fokus të madh, klubi ynë po ecën përpara drejt synimeve të reja dhe drejt arritjeve që i meritojmë. Qëllimi ynë është suksesi dhe rruga në Champions League,” u shpreh ai.
Presidenti u bëri thirrje tifozëve që të mbështesin ekipin me gjithë zemër, por duke ruajtur dinjitetin dhe kulturën sportive që gjithmonë e ka karakterizuar tifozerinë e Shkëndijës.
“Sot do të jemi të gjithë në tribunat e stadiumit, duke kënduar këngët tona të fitores dhe duke i dhënë zemër lojtarëve dhe stafit tonë, sepse ata e meritojnë këtë. Si tifoz i Shkëndijës, ju bëj thirrje që të tregojmë kulturën tonë sportive dhe të mos biem pre e provokimeve.”
Presidenti nënvizoi rëndësinë e shmangies së çdo gjuhe urrejtjeje, duke thënë se ajo nuk përfaqëson as vlerat e klubit dhe as kulturën e tifozëve shqiptarë.
“Të mos lejojmë gjuhë urrejtjeje në asnjë formë, sepse këto nuk na përkasin. Ne, publiku dhe tifozët e Shkëndijës, jemi lojtari i 12-të dhe jemi shembull. Tregojmë nivel të lartë dhe përfaqësojmë me dinjitet dashurinë tonë për klubin.”
Mesazhi përfundon me fjalët që ngjallin emocion dhe krenari te çdo tifoz kuqezi:
“Le të shkojmë drejt fitores. Shkëndija mbi të gjitha!”Tetovasot.