Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka hapur procedurë të menjëhershme kundër një personi për veprën penale “Dhunë”, sipas nenit 386 të Kodit Penal, pas një incidenti të rëndë që ndodhi më 24 gusht në stadiumin “Belo Brdo” në Shtip gjatë një ndeshjeje futbolli të moshave të reja ndërmjet ekipeve të Bregallnicës dhe Shkupit.
Sipas njoftimit, i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të lindur në vitin 2010, lojtarë të ekipit të Bellasicës, duke u shkaktuar atyre lëndime trupore. Ngjarja ka ndodhur në minutën e 89-të të ndeshjes, pasi gjyqtari i kishte dhënë kartonin e dytë të verdhë djalit të të dyshuarit, që luante për Shkupin.
“Fillimisht djali i të dyshuarit reagoi me sjellje jo-sportive dhe tentoi t’i sulmonte kundërshtarët. Më pas, në fushë hyri edhe babai, i cili me grushta dhe shqelma goditi dy lojtarë të vegjël, duke u shkaktuar disa mavijosje dhe një frakturë hunde. Publiku i pranishëm ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”.
“Prokuroria ka paraqitur kërkesë te Gjykata Themelore në Shtip për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, duke pasur parasysh rrezikun e arratisjes, përsëritjes së veprës dhe seriozitetin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.