"Programi i ri për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë – ofrohen 42.3 milionë denarë mbështetje financiare"

Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale informon opinionin publik se Qeveria
e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të nenit 10 paragrafi (4) të Ligjit për Energjinë
("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" Nr. 101/25 dhe 135/25), ka miratuar
Programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë për vitin 2025, në
drejtim të avancimit të mbrojtjes së energjisë dhe mbështetjes së qytetarëve që përballen me sfida
sociale dhe shëndetësore.
Ky program siguron 42,300,000 denarë nga buxheti i shtetit, të destinuara për mbështetje të
drejtpërdrejtë financiare për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve.
Programi synon të sigurojë energji të përballueshme dhe të besueshme për ata që kanë më shumë
nevojë. Fondet janë të destinuara për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet që
jetojnë në varfëri energjetike, me fokus të veçantë tek personat me aftësi të kufizuara dhe ata që
përfitojnë nga ndihma minimale e garantuar.
Përdorues të këtij programi janë amvisëritë që përfitojnë shtesë financiare për të mbuluar një
pjesë të kostos së konsumit të energjisë, si dhe familjet që jetojnë me persona me aftësi të
kufizuara të rënda ose të thella intelektuale, aftësi të kufizuara të rënda fizike, persona plotësisht
të verbër ose plotësisht të shurdhër. Për këtë kategori të dytë, Programi parashikon një mbështetje
mujore prej 1,000 denarë, të cilat do të zbriten drejtpërdrejt nga faturat për energjinë elektrike të
konsumuar, duke filluar nga muaji i dorëzimit të kërkesës, për një periudhë prej 12 muajsh.
Mbështetja financiare do të jepet në bazë të shërbimit të parë, derisa të shterohen fondet, si më
poshtë:
-2. 300,000.00 denarë nga fondet totale do të ndahen për amvisëritë në të cilat jeton
person/persona me aftësi të kufizuara të rënda ose të thella intelektuale,
– 19. 000,000.00 denarë nga fondet totale do të ndahen për amvisëritë në të cilat jeton
person/personat me aftësi të kufizuara më të rënda trupore,
– 9,000,000.00 denarë nga fondet totale do të ndahen për amvisëritë në të cilat jeton person i
verbër plotësisht, dhe
– 12. €000,000.00 nga fondet totale do të ndahen për amvisëritë në të cilat jeton person plotësisht
i shurdhër.
Qytetarët e interesuar do të mund të aplikojnë përmes shpalljes publike e cila do të publikohet në
faqen e internetit të Ministrisë së Energjetikës (www.energy.gov.mk) dhe në dy gazeta të
përditshme. Shpallja do të ketë një afat 30-ditor. Formulari i aplikimit do të jetë i disponueshëm
në internet si dhe në arkivat e Ministrisë dhe aplikantët gjithashtu do të duhet të bashkëngjitin
dokumente që vërtetojnë përbushjen e kushteve për mbështetje financiare.
Shpërndarja e fondeve do të bëhet sipas nevojave specifike të grupeve të synuara: 2.3 milionë
denarë janë të destinuara për amvisëritë me aftësi të kufizuara të rënda intelektuale, 19 milionë
për amvisëritë me aftësi të kufizuara më të rënda fizike, 9 milionë për amvisëritë me persona
plotësisht të verbër dhe 12 milionë denarë për ato me persona plotësisht të shurdhër.
Procedura e përzgjedhjes do të kryhet nga katër komisione të përbëra nga punonjës të Ministrisë,
të ndarë sipas llojit të aftësisë së kufizuar të personit në familje. Komisionet do të shqyrtojnë
aplikimet e marra dhe do të përcaktojnë se cilët kandidatë i plotësojnë kërkesat. Lista e
përfituesve që do të marrin mbështetje financiare do të bëhet publike.
Programi gjithashtu parashikon masa shtesë për të lehtësuar aksesin në energji, duke përfshirë
përjashtim nga shpenzimet e rilidhjes, përparësi në korrigjimin e defekteve dhe masa kundër
shkëputjes për shkak të faturave të papaguara gjatë periudhës së dimrit. Kjo siguron që asnjë
familje që përballet me rrezik social ose shëndetësor të mos mbetet pa mbështetje bazë
energjetike.
Të gjitha informacionet, shpallja publike dhe formulari i aplikimit do të jenë në dispozicion
në faqen e internetit të Ministrisë: www.energy.gov.mk.
Ministria apelon për të gjithë personat e kualifikuar që të informohen në kohën e duhur dhe të
aplikojnë brenda afatit të përcaktuar.
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar për të
krijuar një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme energjetike, në të cilën çdo qytetar ka akses në
nevojat themelore të jetës – veçanërisht ata që kanë më shumë nevojë.