Protestat masive që po mbahen prej ditësh në Serbi kanë marrë një kthesë shqetësuese, pasi nëpër rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje ku forcat policore arrestojnë edhe fëmijë, në mesin e qindra protestuesve të mbledhur në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera.

Në një video që është shpërndarë gjerësisht në rrjetin “X”, shihet një fëmijë i mitur teksa arrestohet me forcë nga policia serbe.

“Ky në këtë video është vetëm një fëmijë. Ky është fëmija ynë. Përgatituni për sonte. Përgjigjuni ndaj thirrjes së studentëve. Po ju presim — shihemi së shpejti”, thuhet në përshkrimin e videos që ka ngjallur reagime të shumta.

Ndërkohë, Instituti për Çështjet Evropiane ka dënuar ashpër brutalitetin policor në protestat e zhvilluara në disa qytete serbe.

“Qytetarët e ndaluar, të lidhur dhe të rrëzuar përtokë, iu nënshtruan goditjeve, duke përfshirë raste të shkeljes së rëndë të të drejtave të fëmijëve”, thekson institucioni, duke i bërë thirrje Departamentit të Kontrollit të Brendshëm që të nisë menjëherë hetim të plotë dhe të pavarur për akuzat ndaj policisë.

Protestat janë nxitur nga pakënaqësia e thellë qytetare ndaj qeverisë serbe, dhunës në rritje dhe skandaleve të njëpasnjëshme politike. Studentët janë bërë zëri kryesor i këtyre demonstratave, të cilat shpesh janë përballur me ndërhyrje të dhunshme nga ana e policisë.

Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë përdorim të gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës dhe arrestime masive, përfshirë të rinj nën moshën 18 vjeç.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin për përdorim të forcës së tepruar ndaj qytetarëve dhe arrestime të paligjshme të të miturve.

Sipas Ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, janë arrestuar rreth 50 persona për “sulm ndaj zyrtarëve policorë”, ndërsa **27 policë raportohet të jenë lënduar”.

Ndërkohë, në Novi Sad, protestuesit kanë thyer zyrat e Partisë Përparimtare Serbe dhe kanë lyer muret e jashtme me ngjyra.

Gazeta Deutsche Welle, në një analizë të publikuar të enjten, paralajmëroi se regjimi i Aleksandër Vuçiqit mund të jetë duke e shtyrë vendin drejt përplasjeve civile, përmes dhunës, provokimeve dhe përdorimit të njësive paraushtarake./Sinjali/