Në Ditën e Ushtrisë, 18 gusht, Kryeministri Hristijan Mickoski ka zgjedhur të publikojë një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke sfiduar hapur marrëdhëniet me Greqinë. Ai i referohet vendit vetëm si “Maqedoni”, duke injoruar emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” që buron nga Marrëveshja e Prespës duke provokuar kështu Athinën, shkruan PressOnline.al.
Në postimin e tij, Mickoski përkujton rëndësinë historike dhe simbolike të Ushtrisë si garant i sovranitetit dhe i pavarësisë së vendit: “Ushtria jonë sot qëndron krah për krah me aleatët në botë, por edhe fuqishëm mbi tokën tonë, çdo herë kur qytetarët janë në nevojë. Ajo është zemra e shtetit. Nëse kjo zemër rreh fuqishëm, edhe shteti është i fortë dhe i sigurt.”
Përdorimi i termit “Maqedoni” në këtë kontekst nuk është rastësi, por një provokim politik dhe diplomatik i qartë. Postimi i Mickoskit shndërrohet kështu në një deklaratë të fortë nacionaliste, që thekson krenarinë për Ushtrinë dhe simbolikën kombëtare, ndërsa sfidon marrëveshjet ndërkombëtare të vendit.
Ky hap mund të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet me Greqinë, ndërsa brenda vendit shërben për të konsoliduar imazhin e kryeministrit si mbrojtës i sovranitetit dhe identitetit kombëtar.