Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur habinë dhe zhgënjimin e tij që Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një rezolutë pa dallime partiake në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëluftëtarëve të tij, të cilët po mbahen në paraburgim nga Tribunali i Hagës.
Rama vuri në pah se procesi ligjor ndaj tyre po shoqërohet me shkelje serioze të normave demokratike dhe të drejtësisë, duke u pyetur pse ende nuk ka një qëndrim zyrtar e të bashkuar nga përfaqësuesit e popullit të Kosovës.
“Vazhdoj të pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës,” – shkruan Rama.
Ai paralajmëroi se në rast se Kosova miraton një rezolutë të tillë, Shqipëria do të angazhohet menjëherë duke e votuar të njëjtin tekst edhe në Kuvendin shqiptar, për ta dërguar mesazhin e të gjithë shqiptarëve në çdo shtet demokratik që mbështet financiarisht këtë Tribunal.
“Nuk duhet të tolerojë asnjë cenim, e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet,” – shtoi ai.
Postimi shoqërohet edhe me një fotografi të një proteste madhështore me flamuj të UÇK-së dhe Shqipërisë, si simbol i mbështetjes popullore për figurat e luftës në Hagë.
Rama përmbyll reagimin me një mesazh të fortë simbolik:
“Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore.”