Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), njëkohësisht kandidat për kryetar komune në Saraj nga radhët e AKI-së, Blerant Ramadani, në debatin televiziv “Rubikon” në Klan Kosova ka deklaruar se arsyeja kryesore pse ASH u largua nga qeveria ishte pamundësia për të vepruar në mënyrë të dinjitetshme dhe efektive brenda saj.
“Ne braktisëm qeverinë sepse ishte e pamundur të vepronim atje. Sot jemi në një proces të bashkimit për të ndërtuar një platformë kombëtare shqiptare. Vetëm një faktor i fuqishëm politik shqiptar mund të jetë garantues i rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Ramadani.
Ramadani: Brohoritjet antishqiptare, pasojë e defaktorizimit institucional – ndaj dolëm nga Qeveria
Në të njëjtin debat në emisionin “Rubikon”, Ramadani komentoi edhe për brohoritjet antishqiptare në një ndeshje futbolli në të cilën ishte i pranishëm edhe presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Sipas Ramadanit, kjo ngjarje është shumë e rëndë dhe reflekton gjendjen aktuale institucionale në vend. Ai u shpreh se heshtja e presidentit Mickoski ndaj këtyre brohoritjeve është shqetësuese dhe tregon mungesë përgjegjësie.
“Këto fyerje ndodhën pas një periudhe të qetësisë multietnike në vend, por ne kemi alarmuar që para dy-tre muajsh për zhvillimet brenda kësaj qeverie. Kjo atmosferë është pikërisht reflektim i asaj që na shtyu të largohemi nga qeveria dhe t’i bashkohemi opozitës shqiptare”, deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se procesi i defaktorizimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore ka nisur që pesë apo gjashtë muaj më parë, dhe kjo po ndodh në mënyrë të vazhdueshme.
Ramadani: Për herë të parë shqiptarët kanë mundësi të udhëheqin komunën e Çashkës
Gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “Rubikon”, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, foli edhe për garën zgjedhore që do të mbahet në tetor në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se për herë të parë shqiptarët kanë mundësi reale të fitojnë dhe të udhëheqin komunën e Çashkës, ku aktualisht shqiptarët përbëjnë rreth 55% të popullsisë.
“Me koordinim të mirë dhe mobilizim maksimal, shqiptarët mund ta fitojnë për herë të parë këtë komunë. Ne jemi të përkushtuar që kjo të ndodhë dhe po punojmë çdo ditë për këtë qëllim”, u shpreh Ramadani.