Ngjarja e ndodhur në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, nuk ishte vetëm një incident sportiv. Ajo ishte një shfaqje e tmerrshme e urrejtjes etnike, e toleruar nga krerët më të lartë shtetërorë që ishin të pranishëm në sallë: kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministri i punëve të brendshme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe të tjerë.

Në vend që të dëgjonim brohorima mbështetëse për sport dhe bashkëjetesë, dëgjuam thirrje të tmerrshme si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”,
“Dhoma e gazi për shqiptarët”,
“Maqedoni e pastër”.

Këto janë parulla që rikujtojnë kapitujt më të errët të historisë evropiane dhe që nuk mund të relativizohen, as të justifikohen si “çështje tifozësh”, e as të mbulohen me deklarata hipokrite për “unitet”, e as me gjoja hetime objektive që në fund përfundojnë me shpërblime, si rasti i policit që hudhi në tokë flamurin kombëtar në Kumanovë për 28 Nëntor.

Më e rënda është tolerimi dhe heshtja totale institucionale. Asnjë reagim nga Federata e Basketbollit, nga MPB-ja, nga organizatorët, nga Qeveria, nga asnjë përfaqësues shtetëror i pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja.

BDI e ka bërë të qartë: nuk do të lejojmë që shqiptarët dhe çdokush nga qytetarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste në vendin ku janë bashkëthemelues të shtetit!

Për këtë arsye, sot ne kërkojmë përgjegjësi politike konkrete:
• Dorëheqje të menjëhershme të Astrit Isenit, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, dhe
• Dorëheqje të Safije Sadiki Shainit, zëvendësministre për Sport,

për mosprevenimin, mosreagimin, paaftësinë dhe heshtjen përballë një sulmi të rëndë ndaj dinjitetit të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëjetesës ndëretnike.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri që:
• Të distancohen publikisht nga kjo ngjarje e turpshme,
• Të kërkojnë sanksione të rënda në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, dhe
• Të tërhiqen nga një Qeveri që nuk reagon, por e toleron dhe e shpërblen urrejtjen.

Sepse, le ta themi troç:
Çfarë të duhet pushteti, kur të fyhet nëna?
Çfarë të duhet pushteti, kur të fyhet flamuri?
Çfarë të duhet pushteti, kur të poshtërohen kombi dhe gjaku yt?

Nëse heshtja është çmimi për të mbetur në pushtet, atëherë heshtja është tradhti.

Ne nuk do të heshtim.

BDI do të qëndrojë në krye të reagimit politik, institucional dhe qytetar, derisa të ketë drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim për këtë ngjarje turpëruese.