Dikur Reçica e Vogël bëri ndryshimin në zgjedhje, duke ia besuar premtimet kandidatit për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Por sot, banorët e kësaj lagjeje nuk besojnë më. Në një takim të mbajtur së fundmi me qytetarët, pjesëmarrja ishte tejet e ulët  një bojkot i heshtur, por domethënës. Shumë nga të pranishmit nuk janë fotografuar nga afër, për të mos u identifikuar nëse janë nga Reçica e Vogël apo nga zona të tjera.

Arsyeja për këtë bojkot është e qartë: gjatë katër viteve të mandatit të tij, Kasami nuk ka realizuar premtimet që u kishte dhënë banorëve. Ky bojkot është një mesazh i fortë i zhgënjimit dhe pakënaqësisë.

Por pakënaqësia ndaj Kasamit nuk kufizohet vetëm në Reçicë. Edhe banorët e lagjes “Jashtë Vardarit” e kanë refuzuar për shkak të mungesës së kanalizimit. Një tjetër lagje, e cila për një vit të tërë mbeti në baltë pasi iu hoqën kalldrëmet, gjithashtu ka shprehur hapur pakënaqësinë.

Përveç këtyre, Kasami nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e mëdha elektorale: stadiumi i Tetovës, ndërtimi i një qendre moderne si në Dubai, parkingjet nëntokësore dhe me kate, furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë  janë projekte që ose nuk kanë nisur fare, ose kanë mbetur vetëm në fjalë./TS/