Në Rumani po frikësohen, pasi Drita mund ta eliminojë FCSB nga rrethi i tretë i Ligës së Evropës dhe t’i shkaktojë humbje të madhe financiare.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Bukuresht i takoi vendasve me rezultat të ngushtë 3-2, por Drita tregoi se mund të përballet edhe me kësi kundërshtarë të mëdhenj.
Gazeta e madhe rumune ‘Fanatik‘ ka shkruar për mundësinë se si Drita mund t’i humbas miliona euro FCSB-së dhe presidentit të tyre Gigi Becali.
“FCSB mund të përballet me një rënie të ndjeshme të të ardhurave nëse eliminohet nga Drita në raundin e tretë paraprak të Ligës së Evropës, duke kaluar në play-off-et e Ligës së Konferencës. Kjo do të ndikonte direkt në bonuset nga UEFA dhe fitimet nga shitja e biletave”.
“Në rast se kampioni rumun e kalon Dritën, atëherë do të përballet me Aberdeen në play-off të Ligës së Evropës. Një sukses në këtë fazë do t’i siguronte FCSB-së një total minimal të garantuar prej rreth 4.66 milionë eurosh, plus bonuse të tjera nga rezultatet në grup dhe koeficienti UEFA, që mund të arrijnë deri në 8 milionë euro”.
“Nëse skuadra eliminohet nga Liga e Evropës por arrin fazën kryesore të Ligës së Konferencës, bonusi minimal do të ishte 3.52 milionë euro, duke humbur mbi një milion euro krahasuar me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Shumat për fitoret dhe barazimet janë gjithashtu më të ulëta, dhe numri i tifozëve tërheq më pak të ardhura nga shitja e biletave”.
“Skenari më i keq për FCSB është eliminimi nga Drita dhe humbja ndaj fituesit midis Levadia Tallinn dhe Differdange. Në këtë rast, klubi do të sigurojë vetëm 1.36 milionë euro, përfshirë bonusin për eliminim dhe bonusin solidariteti nga UEFA”.
“Sezoni i kaluar ishte shumë më fitimprurës: FCSB arriti në raundin e 16-tave të Ligës së Evropës dhe mblodhi rreth 20 milionë euro, duke kombinuar çmimet nga UEFA dhe të ardhurat nga shitja e biletave. Një sukses i ngjashëm këtë sezon duket i vështirë për t’u arritur”.
“Kjo situatë tregon qartë rëndësinë e rezultateve në garat evropiane për stabilitetin financiar të klubeve si FCSB, ku diferenca midis pjesëmarrjes në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës mund të jetë 2–4 milionë euro ose më shumë”, ka shkruar Fanatik.ro.
Drita dhe FCSB do të takohen të enjten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Gjilanasit do të mundohen të kalojnë tutje ku për Dritën do të ishte hera e parë që arrin në Play-Off të Ligës së Evropës.