Të paktën 13 persona, përfshirë një djalë 6-vjeçar, humbën jetën dhe 132 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev, gjatë natës së kaluar, njoftuan autoritetet të enjten.
Ndër të plagosurit ishin 14 fëmijë, mes tyre edhe një foshnje vetëm 5 muajshe, që e bën këtë ngjarje si sulmin më të rëndë ndaj fëmijëve në Kiev që nga nisja e agresionit rus tre vjet më parë, sipas të dhënave të mbledhura nga Associated Press.
Një pallat nëntëkatësh u dëmtua rëndë nga një prej goditjeve, duke shkaktuar shembjen e një pjese të ndërtesës. Sipas kreut të Administratës Ushtarake të qytetit, Tymur Tkachenko, ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të bllokuar nën rrënoja.
Yana Zhabborova, 35 vjeçe, një nga banoret e godinës së dëmtuar, përshkroi momentin kur shpërthimet e fuqishme shkatërruan dyert dhe dritaret e banesës së saj. “Është një ndjenjë tmerri dhe shoku — gjithçka është shkatërruar,” tha ajo. Ajo është nënë e një foshnje 5 muajshe dhe një fëmije 5 vjeç.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia përdori gjithsej 309 dronë, duke përfshirë dronë Shahed dhe dronë mashtrues, si dhe tetë raketa Iskander-K. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 288 dronë dhe tri raketa, por pesë raketa dhe 21 dronë arritën të godasin objektiva në tokë.