Nga viti i ardhshëm, policët e lagjeve do ta ruajnë rendin dhe qetësinë në lagjet në territorin e tërë shtetit. Ky njoftim vjen nga ministri Pançe Toshkovski, i cili tha se me këtë masë do të rritet prania e policisë. Qytetarët e anketuar mendojnë se ideja është e mirë dhe thonë se prania më e madhe e policisë do të sjellë më shumë rend në rrugë.
“Mendoj se kjo do të sjellë rregull, sepse nëpër rrugë shumë shpesh kemi ngjarje të padëshiruara, kështu që mendoj se kjo do të sjellë rregull, po… (Po në lagje?) Po, mendoj se qytetarët do të jenë më të qetë nëse kjo zbatohet në lagje”, tha një qytetar.
Idenë për policinë e lagjeve, ministri Pançe Toshkovski e bëri të ditur në një intervistë për Kanal 5 para dy ditësh, duke iu përgjigjur pikërisht kritikave për mungesën e pranisë së policisë në terren. Koncepti “Polici i lagjes” është zbatuar më herët në vend dhe në shtetet fqinje të rajonit gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, ndërsa nga pavarësia e deri më sot, pavarësisht paralajmërimeve të partive politike, kjo ide ende nuk është realizuar në praktikë.
Gjatë kohës së komunizmit, policët ishin të shpërndarë nëpër lagje dhe kontrollonin të gjitha ngjarjet, duke sanksionuar aktivitetet e palejuara. Në vitin 2017, atëherë partia në pushtet LSDM me Oliver Spasovski si ministër i Punëve të Brendshme, premtoi se do ta rikthente policin e lagjes në rrugë dhe se me këtë do të garantohej siguri më e madhe për qytetarët.
Megjithatë, kjo ide mbeti vetëm në letër dhe asnjëherë nuk u realizua. Tani, sipas paralajmërimeve më të reja nga ministri Toshkovski, vendi pritet të ketë policë të lagjes nga vjeshta e ardhshme.