Ramadan Ramadani
Me shpalljen e zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut i afrohemi edhe periudhës të një rreziku për opinionin publik për të cilin dëshiroja të tërheq vëmendjen. Është gjë e hollë dhe e vogël, por në raste dhe intensitet mund të prodhoje dëm të madh politik, në opinion publik, por edhe në mbarëvajtjen e debatit të përgjithshëm në lidhje me këto zgjedhje lokale. Bile në raste të rralla mund të devijojë kahjen, orientimin dhe të ndikojë në marrëdhëniet etnike në vend e të përkeqësojë edhe më shumë kohezionin, edhe ashtu të paktë, të kombit politik në këtë shtet.
Kjo gjë është ndërhyrjet me komentet politike për dhe në lidhje me këto zgjedhje nëpërmjet proponentëve mediatik nga Kosova dhe Shqipëria. Sigurisht që kjo është një punë e lejuar, legjitime e bile kur bëhet për qëllim të emancipimit të opinionit publik në vendet përkatëse bile edhe e rekomanduar. Por, dëmi i mundshëm dhe moslejesa kanë të bëjnë kur kjo bëhet me paragjykime dhe qasje totalisht ignorante për shqiptarët, kontekstin dhe Maqedoninë.
Çdokush mund ta mare me mend se shkaku për ndarje të këtij shqetësimi tani është në saje të dy sebepeve të afërta; një shkarje dhe njollosje e figurës historike të hoxhës Jakup ef. Hasipi dhe një shkrim vetrekrutues mercenarik i Baton Haxhiut për situatën dhe rrethanat politike në këtë vend. Për hoxhën dhe komandantin legjendar të shqiptarëve të Maqedonisë pati reagime, me të drejtë, nga shumë instanca dhe nuk mbet gjë pa thënë dhe sqaruar, pos ndoshta se sa përveç të paditur dalin edhe mosmirënjohës njerëzit nga Kosova që nuk e dinë brengën, përpjekjen dhe shqetësimin shqiptar të këtij hoxhe mu për Kosovën, atë pjesë gjatë kohë të lëngueshme të shqiptarisë. Ndonese Hoxha Jakup ef. Asipi ka aq vepra dhe ligjërata publike ku ka nda me krejt këtë brengë.
Atij tjetrit për shkrimin me qasje ignorante përkundër krejt injorisë së shfaqur në tekst nuk ke as çka i thotë pasi duhet ti kujtosh se në cilin vit ndodhemi dhe para çfarë zgedhjesh! Domethënë kemi të bëjmë me njeri që nuk di potencën, kapacitetin e as kontekstin e njërës nga grupimet politike të shqiptarëve të Maqedonisë: PDSH-së. Tash si me mar me ja drejtu orën, vitin dhe kalendarin dikujt që nuk e di se nëse PDSH është në pozitë apo në opozitë?!
Mu këto: dija për kontekstin historik dhe politik shqiptarë, mosparagjykimi dhe qëllimi emancipues për opinionet vendase të Kosovës ose Shqipërisë duhet të jenë kufijt e çfarëdo ndërhyrje dhe komenti. Nuk bën aspak të komentojë dikush për zgjedhje lokale duke mos ditë as faktografinë e thjeshtë me komunat shqiptare në Maqedoni. Fjala bie dikush që nuk din as ku ndodhen Bërvenica dhe Dollneni të komentojë ose të marë anë për vetëm ndonjërin kandidat shqiptar në këto dy komuna?! Ose me automatizëm nga preferencat e veta prej ku vjen me i dhanë kosës hov edhe për vendin ku bëhet ky koment. Pra dikush mund të jetë me Albin Kurtin në Kosovë dhe as pa e ditë ku është, fjala bie, Gostivari me automatizëm të fryjë ka ana e tij këtu. Ndërkohë konteksti rrethanat ama edhe kualiteti mund ti dalin krejt tjetër. Visar Ademi nga Gostivari, për shembull, si kandidat i pavarur mund të jetë shumë me më kapacitet se ajo çka ka qenë Albin Kurti për Kosovën në fillet e VV-së atje.
Ose të komentoje, me paragjykimin më të shpeshtë në lidhje me neve; fejën, dhe të kujtojë se ajo çka bën ose thotë Myftinia e Shtipit është shumë e rëndësishme për situatën, zgjedhjet lokale dhe raportin e forcave politike ndërmjet shqiptarëve. Ndërkohë as nuk din ku ndodhet qyteti i Shtipit e as nëse ka votues ose kandidat shqiptar atje?! Këto nuk janë karikatura që nuk kanë ndodhë në të kaluarën prandaj duhet thënë stop kësisoj përzierjeve elementarisht injorante dhe paragjykyese.
Sigurisht se duhet vënduar edhe mburoja nga këtu dhe proponentët dhe mediat e këtushme shqiptare duhet prej tash fuqishëm të artikulojnë se në raste të kësisoj përzierje përveç se do i djegin vet ata komentues dhe do ua kthejnë me të njëjtën monedhë për vendet e tyre përkatëse, të porositin qartë se do i djegin edhe porositësit dhe angazhuesit eventual të këtyre kalemxhinjve dhe mercenarëve nga këtu, nëse do ket të tillë!