Gazetari Kasam Selimi ka reaguar ashpër ndaj manipulimeve të fundit zgjedhore, duke i cilësuar vendimet e KQZ-së si të jashtëligjshme.

“Kjo u dhemb pushtetarëve hileqar maqedonas dhe për këtë arsye e mohojnë numrin e përgjithshëm zyrtar të popullsisë në Maqedoninë e Veriut,” – thekson Selimi.

Ai rikujtoi se me regjistrimin e vitit 2021, përbërja etnike ndryshoi dukshëm:

Shqiptarët nga 25.17% shkuan në mbi 29.52%
Maqedonasit nga 65.17% zbritën në 54.21%
“Komuna e Çashkës, Komuna e Dollnenit dhe Komuna e Jegunovcës zyrtarisht për nga përqindja u bënë tre komunat e reja me shumicë shqiptare. Herën tjetër, gjasat janë shumë të mëdha që edhe 6-7 komuna tjera të bëhen me shumicë shqiptare,” – shtoi ai.

Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, Selimi akuzoi KQZ-në për shkelje flagrante:

“Nuk kishte konsensus, nuk kishte vendim – kishte vetëm votim të jashtëligjshëm. Ulja e numrit të këshilltarëve komunalë është jashtëligjore.”

Sipas nenit 31 të Kodit Zgjedhor, vendimet që prekin interesat e minoriteteve kërkojnë konsensus, jo thjesht shumicë votash. Në mungesë të konsensusit, theksoi Selimi, vendimi konsiderohet i pamiratuar dhe i kontestueshëm në Gjykatën Administrative e më pas në Gjykatën e Lartë Administrative.