Serbia vazhdon me arrestimet arbitrare në kufi – avokatët paralajmërojnë rrezik dhe kërkojnë reagim urgjent

Autoritetet serbe kanë arrestuar edhe një tjetër shtetas Kosovar. Këtë e konfirmoi të martën Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).
Behar Preniqi, ishte shqiptari i radhës që u ndalua në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.
Arrestimi i Preniqit është më i fundit në një varg arrestimesh të shtetasve të Kosovës gjatë udhëtimit transit nëpër Serbi në vitetet e fundit.
Ky arrestim ka nxitur reagime të ashpra, derisa nuk është e qartë se për çfarë akuzash u ndalua Preniqi, dhe Ministria tha se u ka dërguar kërkesë zyrtare autoriteteve serbe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij.
Fillimisht, u raportua se ndalimi i tij erdhi pas ishte ish-pjesëtar i UÇK-së, mirëpo një informacion i tillë u hodh poshtë nga familjarë e Preniqit dhe nga OVL-UÇK-së.
Për këtë, Ministria në reagimin zyrtar tha se arrestimi i Preniqit përbën “një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Ajo tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kontaktuar familjen e Preniqit dhe se është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.
Ministria tha se për arrestimin e tij i ka njoftuar edhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi si dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it.
E në lidhje me këtë dukuri të arrestimeve të shqiptarëve nga Serbia, për “Bota sot” folën avokatët.
Selimaj: Ndalja dhe arrestimi i qytetarëve të Kosovës është arbitrare dhe nën arsye të paqena dhe të pabaza
Së pari, avokati Meshari Selimaj tha se këto arrestime nga ana e Serbisë janë si pasojë e qëndrimeve armiqësore ndaj Kosovës.
Ai në një prononcim për “Bota sot” këtë e ndërlidhi edhe me dënimet që gjykatat e Kosovës po ua shqiptojnë serbëve që kanë marrë pjesë në krime lufte.
“Arrestimi i qytetarëve të R. së Kosovës të cilët kalojnë nëpër Serbi tashmë ka kaluar në një veprim thuajse të përjavshëm dhe të përsëritur, i cili ndodh në thelb si shkak i qëndrimeve armiqësore që shteti i Serbisë ka ndaj nesh. Veçmas nga fakti i ndjekjes penale që organet ligjzbatuese në Kosovë po i ndërmarrin kundër personave të cilët kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku deri tash janë në zhvillim e sipër disa procese gjyqësore edhe me dënime të shqiptuara nga Gjykatat e Kosovës, madje edhe në mungesë të të pandehurve, shtuar këtu edhe çështjen e rastit “Banjska””, nënvizoi ai.
“Ndalja dhe arrestimi i qytetarëve të Kosovës është arbitrare dhe nën arsye të paqena dhe të pabaza, për të cilin veprim Kosova karshi Serbisë nuk ka mekanizëm imponues lidhur me këtë çështje sepse e njëjta nuk e njeh shtetin tonë dhe komunikimi ynë policor dhe sa i përket çështjeve me interes të drejtësisë ndodh përmes EULEX, ndërkaq si zgjidhje e vetme është ndërhyrja e ndërkombëtare, në të kundërtët ky fenomen do të vazhdoj të sundoj edhe më tej e madje në mënyrë edhe më të ashpërsuar”
Ndër të tjera, ai bëri thirrje ndaj qytetarëve tanë që të mos udhëtojnë përmes Serbisë.
“Veprimet e mekanizmave represiv të shtetit serb i njohim të gjithë, i kemi përjetuar në palcën tonë dhe e dijmë se deri në ç’masë shkojnë ato, andaj thirrja e vetme që duhet të bëhet në aspektin logjik, por edhe faktik, është që MOS KALONI NËPËR SERBI”, përfundoi Meshari Selimaj.
Curri: Arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, janë shqetësuese
Kurse, i shqetësuar për këto arrestime, ishte edhe avokati Agron Curri, i cili tha se kjo është një formë e presionit politik që cënon të drejtat e njeriut.
ImageAgron CurriFoto galeri
Ai në prononcimin dhënë për “Bota sot” tha se këto veprime po mbështeten në akuza të rreme.
“Arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, si rasti i fundit me Behar Preniqin, janë shqetësuese dhe përbëjnë një formë presioni politik që cenon të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.
Këto veprime, të mbështetura në akuza të rreme, dëmtojnë raportet edhe ashtu te brishta mes dy vendeve si dhe nxisin tensione të panevojshme në rajon”.
Krahas kësaj, avokati kërkoi nga institucionet e vendit reagim të menjëherëshëm dhe koordinim me ndërkombëtarët, pasi tha se është e rëndësishme që këta të fundit të mos tregohen indiferente ndaj këtyre zhvillimeve.
“Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë me vendosmëri përmes kanaleve diplomatike dhe ligjore, duke kërkuar ndërhyrje dhe transparencë nga autoritetet ndërkombëtare.
Është shumë e rëndësishme që faktori ndërkombëtar të mos qëndrojë indiferent, por të kërkojë nga Serbia të ndalojë arrestimet arbitrare dhe të respektoj standardet ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut”, përmbylli Agron Curri për “Bota sot”.