Në seancën e sotme për rastin “Shtekli”, lidhur me shitjen e organizuar të drogës në lagjen Aerodrom të Shkupit, katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – paraqitën propozim për pranim të fajësisë, pas së cilës gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale. Lidhur me të akuzuarin Rade Trajkovski Shtekli, gjykata paralajmëroi se në seancën e ardhshme do të përballen ekspertizat psikiatrike nga mbrojtja dhe Prokuroria.

Siç informoi gjykatësi Ilija Tërpkov në seancën e sotme, lidhur me gjendjen psikike të Trajkovskit, mbrojtja paraqiti një ekspertize ku theksohet se Trajkovski vuan nga një çrregullim me karakteristika skizofrenike, ka halucinacione dhe ide të paranojave, dhe nuk është në gjendje të ndjekë seancën gjyqësore.
“Para tre vitesh, Trajkovski filloi të tërhiqej nga shoqëria dhe u përfshi në aktivitete okulte dhe kishte një mësues imagjinar. Këto aktivitete bizare e pushtuan plotësisht me ide për ndjekje dhe ai vendosi kamera në vendbanimin e tij, ndërsa ngjarjet i interpretonte si: mafia shqiptare dhe policia janë bashkuar kundër tij dhe e përndjekin. Ai kishte halucinacione vizuale dhe akustike dhe vuan nga një çrregullim psikotik me karakteristika të skizofrenisë”, u tha sot në gjykatë gjatë leximit të një pjese të ekspertizës psikiatrike, me të cilën pretendohet se Shtekli nuk është në gjendje ta ndjekë gjyqin.

Në të kundërtën e kësaj, prokuroria paraqiti një ekspertizë psikiatrike të përgatitur, në të cilën pretenohet se Trajkovski është psikotik dhe i aftë të marrë pjesë në seancën dëgjimore.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor e shtyu për më 3 shtator seancën gjyqësore, me paralajmërim se në seancën e ardhshme do t’i thërras ekspertët nga të dyja palët për t’i përballë mendimet e tyre. Më pas, siç tha, Gjykata do të vendosë se cilit mendim eksperti do t’i jepte besim, ose do të urdhëronte një ekspertizë të re psikiatrike nëse është e nevojshme.

Prokuroria për Ndjekje e Krimit të Organizuar ka ngritur akuza kundër gjithsej 10 personave, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar që përfshinte masa të posaçme hetimore. Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3,5 vjet.
Sipas Prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga blerja deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Drogat ruheshin në banesa me qira dhe shiteshin me çmime që varionin nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi zhvillohej nëpërmjet aplikacionit Snapchat dhe provat kryesore u siguruan nëpërmjet sistemit “Cellebrite”, për analizën e telefonave celularë, donacion nga SHBA-ja.