Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vazhdon me veprimet e dyshimta në menaxhimin e qytetit, duke u përballur me kritika për një sërë parregullsish, përfshirë: shitjen e pronave publike, vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit si favor ndaj VMRO-DPMNE-së, dhe emërimet politike në pozitat kyçe si ajo e sekretarit të komunës dhe drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit”.

Së fundmi, Kasami ka siguruar edhe punësimin e bashkëshortes së sekretarit të Komunës, Darko Kocevski, duke lënë anash aktivistët dhe mbështetësit e Lëvizjes Besa, të cilët vazhdojnë të punojnë me kontrata të përkohshme apo të mbeten jashtë institucioneve.

Burime të afërta me administratën komunale theksojnë se Kasami, i shqetësuar nga rënia e mbështetjes në opinion publik, po favorizon një rreth të ngushtë të udhëheqësve lokalë të VMRO-DPMNE-së në Tetovë, ndërkohë që qytetarët e tjerë maqedonas nuk përfshihen në këto vendime.

Për më tepër, kryetari i Tetovës është vënë në qendër të vëmendjes edhe për një donacion prej 800 mijë eurosh, të pranuar nga një kompani serbe, e cila gjatë vitit 2024 ka realizuar fitim vetëm në vlerë prej 50 mijë eurosh – duke ngritur dyshime serioze mbi qëllimin dhe transparencën e këtij transaksioni.