Sllovenia ka vendosur embargo për eksportin, importin dhe tranzitin e armëve drejt Izraelit, dy javë pasi shpalli dy ministra izraelitë “persona non grata”, raportuan mediat sllovene duke iu referuar një njoftimi zyrtar të qeverisë në Lubjanë.

Masën e shpalli kryeministri Robert Golob pas një mbledhjeje të qeverisë sllovene. Golob deklaroi se Sllovenia është vendi i parë evropian që ka ndërmarrë një hap të tillë.

Sllovenia e njohu shtetin e Palestinës në qershor të vitit të kaluar dhe që atëherë vazhdimisht ka bërë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për rritje të ndihmës humanitare për enklavën.

Izraeli i dënoi deklaratat e javës së kaluar nga Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja, të cilat shprehën se mund të njohin shtetin palestinez, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte shpërblim për lëvizjen islamike palestineze Hamas, për sulmin e saj ndaj territorit izraelit më 7 tetor 2023.