“Larg manipulimeve dhe lajmeve të rreme! Stadiumi po bëhet sipas dinamikës së parashikuar!” – kështu deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. Por realiteti në terren tregon të kundërtën: punimet në stadiumin e qytetit kanë ngecur prej kohësh informon Tetovasot.

Ky premtim i madh, i bërë disa herë nga Kasami, është shndërruar në temë të përsëritur të fushatave elektorale. Sa herë ka zgjedhje, stadiumi rikthehet si kartë politike, por përfundimi i tij ende mbetet i paarritur.

Stadiumi i Tetovës ka një rëndësi të veçantë, pasi aty pritet të luajë skuadra e Shkëndijës – klubi që bashkon gjithë shqiptarët dhe që ndeshjet ndërkombëtare është i detyruar t’i zhvillojë në kryeqytet. Për këtë arsye, projekti nuk është thjesht infrastrukturë sportive, por një simbol bashkimi dhe krenarie tetovare.

Megjithatë, Kasami, në vend që të marrë përgjegjësinë për ngecjet, shpeshherë i cilëson reagimet dhe kritikat si “manipulime”. Por qytetarët e Tetovës stadiumin nuk e shohin as në përdorim dhe as drejt përfundimit – për momentin ai ekziston vetëm në fjalët e kryetarit.TS