Shkruan: Analisti – Qani Shabani

Në një klimë politike të brishtë, ku institucionet shpesh duken të pafuqishme përballë ndërhyrjeve të jashtme, Serbia ka avancuar strategjikisht pozicionin e saj në Maqedoninë e Veriut. Kjo është realizuar përmes një arsenali të sofistikuar të ndikimit të butë — një kombinim i kapitalit ekonomik, instrumenteve kulturore, religjioze dhe mediave — që synon të ricentrojë influencën serbe në rajon.

Rasti i fundit që hedh dritë mbi këtë strategji është ai i donacionit prej 800 mijë eurosh nga kompania serbe Unipromet për rinovimin e një objekti shkollor në qytetin e Tetovës. Kjo kompani metalurgjike me bazë në Çaçak dhe e lidhur ngushtë me pushtetin ekonomik dhe politik në Beograd, nuk është një aktor i rastësishëm. Përfshirja e saj në projektin strategjik të Korridorit 8, si dhe kontratat milionëshe për furnizime infrastrukturore, janë tashmë indikatorë të qartë të shtrirjes së influencës.

Dhurimi i katër minibusëve për nxënësit, në këtë kontekst, është më shumë se një akt bamirësie – është një investim në perceptim publik dhe një blerje simbolike e legjitimitetit.

Ky veprim i Unipromet është vetëm një pjesë e mozaikut të ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën kohë, Alta Banka, përmes Alta Pay Group, ka ofruar 24 milionë euro për të blerë Stopanska Banka AD Bitola, duke kërkuar kështu të futet në zemër të sistemit financiar maqedonas. Ndërkohë, MTEL, bijë e Telekom Serbia, tashmë ka blerë operatorë strategjikë si Neotel, duke kapur pjesë thelbësore të tregut të telekomunikacionit dhe përmbajtjes mediale.

Kisha Ortodokse Serbe, përmes marrëveshjes me KOM-in maqedonas, ka arritur të imponojë ndryshimin e emrit të Kishës në një version që e nënkupton varësinë nga Beogradi – një tjetër “fitorje” kulturore në një fushë delikate të identitetit kombëtar.

Këto veprime të koordinuara nuk janë incidente të izoluara, por komponentë të një strategjie më të madhe gjeopolitike – asaj të të ashtuquajturës “Botë Serbe”. Ky projekt nuk synon vetëm nostalgjinë për të kaluarën jugosllave, por një rikthim real të ndikimit politik dhe ekonomik të Serbisë në zonën e ish-Jugosllavisë, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Ndikimi shkon përtej ekonomisë dhe feve – ai formaton narrativën publike, ndikon në mënyrën se si qytetarët e shohin vendin, fqinjët, orientimin gjeopolitik dhe vetë të ardhmen e tyre. Në këtë kuptim, ai është po aq i rrezikshëm sa çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake, sepse vepron në heshtje përmes perceptimit dhe normalizimit.

Pse mungon reagimi? Institucionet shtetërore janë të paralizuara nga klientelizmi politik dhe mungesa e vizionit strategjik. Elita politike – si në pushtet ashtu edhe në opozitë – është e kapur në ciklin e interesave afatshkurtra, duke i injoruar rreziqet afatgjata të penetrimit strategjik të huaj. Shoqëria civile dhe mediat, që duhet të ishin mekanizma mbrojtës, janë shpesh të polarizuara ose të heshtura.

Në këtë realitet, ndikimi i Serbisë nuk është vetëm ekonomik apo kulturor – ai është politik dhe strukturor. Ai ndikon në balancat e brendshme etnike, në legjitimitetin institucional, dhe në aftësinë e Maqedonisë së Veriut për të vepruar si shtet sovran në skenën ndërkombëtare.

Nëse institucionet e Maqedonisë së Veriut, elita politike shqiptare dhe maqedonase, mediat dhe shoqëria civile nuk rishikojnë urgjentisht mënyrën si trajtohen investimet, donacionet dhe marrëveshjet me aktorë të jashtëm, vendi do të përballet me një realitet ku pushteti do të zhvendoset, pa u kuptuar, nga parlamenti në portofolin e interesave të huaja.

Donacioni i sotëm është vota e nesërme.
Barriera rrugore është linjë ndikimi.
Interneti është fuqi kontrolli.