Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 86 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në kryeqytetin e Jemenit, Sanaw.

Sulmet ajrore u kryen të dielën në përgjigje të një rakete balistike të lëshuar nga territori jemenas drejt Izraelit të premten, në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Tel Avivit dhe rebelëve të mbështetur nga Irani.

Sipas një deklarate të ushtrisë izraelite, objektivat e goditura përfshinin një kompleks ushtarak ku ndodhet pallati presidencial, dy termocentrale dhe një depo karburanti. Ushtria thekson se sulmet ishin një përgjigje ndaj “sulmeve të përsëritura nga regjimi terrorist Huthi kundër Shtetit të Izraelit dhe civilëve të tij”, përfshirë lëshimin e raketave tokë-tokë dhe dronëve në drejtim të territorit izraelit ditët e fundit.

Rebelët Huthi i kanë përshkruar veprimet e tyre si një akt solidariteti me popullin palestinez, në mes të konfliktit të zgjatur në Rripin e Gazës.