Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar arsyet e largimit nga koalicioni VLEN, duke theksuar se Marrëveshja me VMRO DPMNE-në parashihte afrim drejt BE-së, por ndodhi e kundërta.
I ftuar në “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Taravari tha se qëllimi fillestar i koalicionit VLEN dhe bashkëpunimit me VMRO DPMNE-në ishte ndryshimi dhe përshpejtimi i integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. “Jo që u afruam, por u larguam edhe më shumë nga Bashkimi Evropian,” tha Taravari, duke shtuar se këtë e pranojnë edhe ndërkombëtarët.
Sipas tij, marrëveshja me VMRO DPMNE-në kishte katër pika, të gjitha të lidhura me procesin e integrimit europian, por rezultati ishte zhgënjyes. Ai tha se brenda VLEN-it kishte probleme funksionimi, por një tjetër shqetësim serioz është edhe rritja e ndikimit serb në vend.
“Millorad Dodiku vjen në qendër të Shkupit dhe aty e ke kryeministrin,” deklaroi Taravari, duke lënë të kuptohet se lidershipi aktual i qeverisë dhe VMRO nuk po mbajnë një kurs pro-perëndimor.