Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, në një takim me mërgatën tetovare ka theksuar se “Tetova nuk është për shitje, atë e kemi amanet nga të parët tanë”. Ai u shpreh se qyteti ka nevojë për investime, përvojë dhe vizion të ri, ndërsa kritikoi garniturën aktuale politike për “shitjen e pronës publike” dhe “përfundimin e parave në xhepat e individëve e jo në arkën komunale”.

Rexhepi bëri të ditur se në Komunën e Tetovës do të krijohet një sektor i veçantë me profesionistë të dedikuar për tërheqjen e investimeve nga jashtë dhe diaspora, duke ofruar asistencë administrative dhe ligjore. Ky sektor, sipas tij, do të ketë fokus të veçantë në mërgatën nga Tetova dhe Pollogu.

Ai shtoi se bashkë me diasporën po hartohet programi #PërTetovënERe, që synon të jetë një kapitull i ri për qytetin.