Tha se ka bombë në avionin që po qarkullonte në linjën Shkup-Antalia, gjykata i shqiptoi 30 ditë paraburgim!

Nga Prokuroria njoftojnë se gjykata ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj personit që më datë 16 të këtij muaji, denoncoi rrejshëm se ka bombë në aeroplanin që po qarkullonte në linjën Shkup-Antalia, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se ka baza të dyshimit që personi në fjalë ka kryer veprën penale “terrorizëm”.
Në lidhje me: Alarm për bombë në Aeroportin e Shkupit, ndërpritet funksionimi i Aeroportit
“I dyshuari, më 16 të këtij muaji në orët e hershme të mëngjesit, përmes linjës telefonike të urgjencës 192, me dashje ka dërguar kërcënim serioz për vendosjen e një bombe në një aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, në fluturimin Shkup – Antalia. Menjëherë pas pranimit të kërcënimit, nga Sektori për luftë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit janë aktivizuar protokollet për kontroll antiterrorist dhe pas disa orësh verifikim është konstatuar se bëhej fjalë për një lajmërim të rremë. Me veprimin e tij, i dyshuari ka krijuar ndjenjë frike dhe pasigurie tek pasagjerët dhe të pranishmit në Aeroport, ndërsa me aktivizimin e protokolleve për kontroll antiterrorist ka penguar edhe tërësinë e trafikut ajror”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se personi në fjalë është identifikuar si S.A. 26 vjeç nga Shkupi. Nga MPB thonë se i njëjti dyshohet për shkelje të nenit 394-b të Kodit Penal.
“Gjatë ndërmarrjes së masave, më 20.08.2025, me urdhër gjykate, është kryer bastisje në shtëpinë e S.A., në rajonin e Kisella Vodës, ku janë gjetur dhe konfiskuar sende të lidhura me ngjarjen, ndërsa ai është privuar nga liria. Në bisedën zyrtare në stacionin policor ai e ka pranuar veprën”, thonë nga MPB.
Sipas Kodit Penal, për kryerjen e një akti terrorist (p.sh. vendosje bombe, rrëmbim avioni, shkatërrim infrastrukture, përdorim armësh kimike/biologjike etj.) parashikohet dënim me burg prej të paktën 10 vjetësh deri në burgim të përjetshëm. Për kërcënim serioz për kryerjen e një akti terrorist (edhe nëse del i rremë, si rasti me bombën e raportuar), parashikohet dënim me të paktën 8 vjet burgim./tv21.tv