Nga Fatmir Bytiqi

George Orwell që në vitin 1945 vërejti se në kohë entuziazmi nacionalist, sporti lehtësisht mund të bëhet “luftë pa të shtëna”. Jo sepse sporti është agresiv në vetvete, por sepse pasioni, kur lirohet nga referencat shoqërore përfshirëse dhe vlerat e bashkëjetesës, shndërrohet lehtësisht në mjet për poshtërim, përjashtim dhe eliminim simbolik të “tjetrit”, të ndryshmit.

Ajo që pamë në Ditën e Republikës nuk ishte sport – ishte degradim publik i bashkëjetesës, thirrje që rikujtojnë momente të errëta të historisë, të shqiptuara me zë të lartë, pa turp e pa përmbajtje. Më 2 gusht 1903, kryengritësit e Ilindenit nuk bënin thirrje për shkatërrimin e “tjetrit”, por për çlirim dhe bashkim të të gjithëve kundër sistemit represiv. Është turp që në këtë ditë simbolike tribunat u shndërruan në mjet për çlirimin e paragjykimeve të shtypura sistematikisht, të cilat politika i ka toleruar dhe riprodhuar për një kohë tepër të gjatë.

Për fat të keq, nuk mund të flasim për një eufori të izoluar tifozerie – përkundrazi, kemi të bëjmë me një simptomë të një patologjie politike, me erozion të vlerave në hapësirën publike dhe politike. Në këtë kontekst, gjuha e urrejtjes bëhet fjalim legjitim, ndërsa tribunat – pasqyrë e politikës.

Incidentet me ngarkesë të theksuar ksenofobike kurrë nuk mbeten të izoluara. Ato krijojnë pritshmëri për përsëritje, për reagim simetrik nga “tjetri”, për thellim të armiqësisë dhe jotolerancës ndaj ndryshimeve. Sot ndodhin në një sallë, nesër mund të ndodhin në rrugë, në vendin e punës, në shkollë. Sepse, një herë kur të normalizohet urrejtja, vështirë se mund të mbahet brenda kufijve normativë, e aq më pak brenda atyre moralë.

Ky ambient nuk u krijua brenda natës – është rezultat i një inercie të gjatë politike, ku partitë u liruan me lehtësi nga obligimi për të formësuar etikën publike, përkundrazi, lejuan që ajo të degradohet para syve të tyre. Gjuha e urrejtjes për vite të tëra është përhapur në hijen e komoditetit politik, gjithmonë me arsyetimin se “ka çështje më të rëndësishme”, se “nuk është koha”, se “do të zgjidhet pas zgjedhjeve”. Kështu, tribunat u bënë hapësira ku shqiptohet ajo që elitat nacionaliste politike, më shumë apo më pak, e dëshirojnë.

Shumica e partive, pa dallim nëse janë në pushtet apo opozitë, me përmbajtjen e tyre ndaj vlerave, në fakt e kanë legjitimuar transformimin e hapësirës publike në një arenë etnike për përballje. Kalkulimet me qëndrime, heshtja përballë fyerjeve të dukshme dhe distancimi taktik nga gjithçka që mund të zemërojë “bazën e vet” janë dështim i esencës demokratike të politikës. Atje ku vertikalja morale zëvendësohet me logjikë sondazhesh, urrejtja gjithmonë gjen hapësirë për të hedhur rrënjë.

Në këtë kuptim, parathënia e zgjedhjeve lokale që po afrohen tashmë e ka tejkaluar çështjen e programeve dhe kandidatëve.

Shoqëria sërish ka vendosur një test për kapacitetin vleror të partive – a do të vazhdojnë të sillen me inercion apo do të marrin më në fund një qëndrim të qartë? A do të flasin si arbitra të bashkëjetesës mes të gjitha dallimeve në Maqedoni apo do të heshtin në emër të komoditetit elektoral?

Njëkohësisht, sporti nuk duhet të heqë dorë nga roli i tij shoqëror. Përkundrazi, duhet sërish të kuptohet si një fushë ndërtimi civilizues, si hapësirë ku ushtrohet respekti, disiplina dhe përvoja e përbashkët mes ndryshimeve. Kjo do të bëhet më e lehtë nëse edhe federatat, klubet, institucionet sportive dhe mediat e kuptojnë përgjegjësinë e tyre dhe veprojnë në mënyrë parandaluese dhe edukative.

George Orwell nuk na paralajmëroi për sportin, por për politikën që hesht kur pasioni bëhet vegël e urrejtjes. Nuk është i rrezikshëm vetë sporti, por mënyra si është lënë nga shteti pa udhërrëfyes vleror përfshirës, pa një etikë të qartë që e orienton drejt bashkëjetesës e jo drejt përballjes me “tjetrin”. Tribunat, sado që duken kaotike, gjithmonë flasin me gjuhën që politika ua lejon.

Prandaj, mesazhi nga Kumanova nuk guxon të përsëritet – as në tribuna, as në rrugë, as në asnjë vend tjetër të atdheut. Urrejtja që u dëgjua atje është vetëm një jehonë e asaj që politika e ka heshtur për shumë gjatë.

Çdo ndeshje e radhës, pa marrë parasysh se kush luan – kombëtarja apo një klub – ku mbahet dhe kush është publiku, duhet të jetë hapësirë e mbushur me frymë sportive, jo arenë simbolike për fyerje dhe ndarje.

Përpara nesh është një zgjedhje: ose do të ndërtojmë një digë të qartë dhe të vendosur kundër urrejtjes edhe në fushat sportive, ose do të lejojmë që ajo të na tërheqë pas vetes, duke na shpërbërë themelet e bashkëjetesës. Maqedonia ka të drejtë për dallime – aty qëndron forca e saj – por nuk ka luksin për ndarje të reja që ushqehen nga kalkulime politike. Është koha të thuhet qartë “jo” ndaj urrejtjes, ndaj nacionalizmit dhe, mbi të gjitha, ndaj indiferencës që mundëson rritjen e tyre.