Shteti i Finlandës është tronditur sot. Kjo pasi dyshohet se një deputet i këtij vendi ka bërë vetëvrasje brenda ndërtesës së parlamentit.
Mediat kanë raportuar se viktima është 30-vjeçari Eemeli Peltonen, një nga ligjvënësit më të rinj të parlamentit finlandez.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar Aaro Toivonen, kreu i departamentit të sigurisë së parlamentit.
“Një vdekje ndodhi në mëngjes. Shërbimet e urgjencës mjekësore, njësitë e shpëtimit dhe autoritetet policore u njoftuan për vendin e ngjarjes nëpërmjet qendrës së urgjencës”, ka thënë ai.
Në muajin qershor, Peltonen kishte zbuluar në mediat sociale se po merrte trajtim për probleme me veshkat dhe kishte marrë disa javë pushim nga detyrat e tij parlamentare për t’u rikuperuar në shtëpi. Kurse, më vonë ai kishte zbuluar se kishte kontraktuar një infeksion bakterial ndërsa po trajtohej.