Tronditet VLEN në Tearcë. Sonte ka dhënë dorëheqje kryetari i Lëvizjes BESA të degës së Tearcës, Muhamer Isaku, dhe i është bashkuar Aleancës Kombëtare për Integrim dhe kandidatit për Komunën e Tearcës, Nazim Taipi.
Vetë kandidati i AKI-së ka postuar në Facebook ardhjen e Isakut në Aleancën Kombëtare.
“Mirë se vjen në familjen politike të Aleancës për Shqiptarët dhe koalicionit ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’, Muhamer Isaku!
Vizioni ynë për Komunën e Tearcës sot forcohet edhe më shumë me bashkimin e Muhamer Isakut, i cili deri më tani ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Nëndegës së Lëvizjes BESA në Tearcë,” ka shkruar Nazim Taipi.
Ndryshe, sonte edhe themeluesja e LD-së në Çair, Fitore Qiriazi, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë dhe të VLEN-it.