Pas vendosjes së trupave ushtarake në Uashtington DC President i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë trupa edhe në qytetin e Baltimore, duke përshkallëzuar përplasjen e tij me guvernatorin e Merilendit, Wes Moore.
Ky i fundit, përmes një ftese publike, kërkoi presidentin që bashkohej me të në një “shëtitje sigurie” në qytet, por Trump reagoi në rrjetet sociale, duke thënë se nëse Moore ka nevojë për ndihmë, ai do të ndërhyjë me trupa, siç ka bërë në Uashington.
Ai kritikoi ftesën e guvernatorit, duke e quajtur “të keqe” dhe “provokuese”.
Këto komente janë pjesë e një fushate më të gjerë të presidentit për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytetet e udhëhequr nga demokratët, me qëllimin për të luftuar krimin, sipas administratës së tij.
Në Uashington DC, të dielën janë dislokuar tashmë rreth 2,000 trupa dhe, sipas një deklarate nga Task Forca e Përbashkët, ata janë urdhëruar të pajisen të gjithë me armë, të cilat më parë ruheshin në arsenal dhe merreshin vetëm nëse ishte e nevojshme.
Sipas ushtrisë, forcat ushtarake do ti përdorin vetëm si masë e fundit. Ndërsa Trump ka paralajmëruar gjithashtu vendosjen e trupave ushtarake edhe në shtetet e tjera.
Por ky përshkallëzim ka hasur në reagime të forta nga udhëheqësit demokratë, të cilët e kanë cilësuar si “abuzim me pushtetin” dhe “ligjërisht të pajustifikuar”.
Megjithëse krimi është ulur në krahasim me vitet e tjera Sondazhet tregojnë se rreth 80% e banorëve të qyteteve si Baltimore kundërshtojnë vendosjen e trupave federale dhe të Gardës Kombëtare në zonat e tyre.