Më 5 shtator 2025, në kinematë e Turqisë, e më pas edhe Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit pritet të shfaqet premiera e filmit më të ri: “Në Errësirën e Diellit – Kosova”.

Ky prodhim i kinematografisë turke trajton edhe njërën nga ngjarjet më tronditëse dhe të ndjeshme të viteve të fundit në Kosovë, sulmin terrorist në Banjskë, të kryer nga grupe paramilitare serbe në shtator të vitit 2023.

Ky film vjen si vazhdim i rrëfimit të nisur me “Fytyra të Fshehura – Bosnja”, që trajtonte fshehjen e kriminelëve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Kësaj here, fokusi zhvendoset drejt Kosovës dhe përballjes së saj me kërcënimet serioze të sigurisë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Filmi, me regji të Haktan Özkan dhe prodhim të Çiçek Yapım, sjell një përshkrim dramatik dhe emocional të atyre ditëve kritike. Ai përqendrohet në përpjekjet e agjentëve turq për të parandaluar një luftë të madhe që mund të shpërthejë në Ballkan, si dhe pasqyron bashkëpunimin strategjik dhe operacional mes Kosovës dhe Turqisë në përballjen me këto kërcënime.

Në rolet kryesore janë aktori me origjinë nga Kosova Gökhan Tunalıgil, Ayhan Krüezi dhe Ebru Taşçı. Në film luajnë gjithashtu aktorë të njohur si Ümit Acar, i njohur me rolin e Ersoy Ulubey në filmin “Lugina e Ujqërve Kurthi”, Müge Ulusoy, Bora Sivri, Ali Düşenkalkar, Ayhan Işık dhe artistja kosovare Sonay Buş.

Xhirimet janë realizuar në Prizren, Prishtinë, Mamushë e Bursa.