“Ua kam borxh kolegëve të mi në Palestinë”/ Gazetarja jep dorëheqjen nga Reuters: Po përhap propagandën e Izraelit dhe po justifikon vrasjen sistematike të gazetarëve në Gaza

Fotoreporterja dhe gazetarja kanadeze, Valerie Zink ka dhënë dorëheqjen pas tetë vitesh pune me Reuters, duke kritikuar qëndrimin e agjencisë së lajmeve ndaj Gazës. Zink mësohet se ka dhënë dorëheqjen duke akuzuar Reuters për tradhti ndaj gazetarëve duke shtuar se kjo media justifikon e vrasjen e gazetarëve në enklavën palestineze.
“Në këtë pikë është bërë e pamundur për mua të ruaj një marrëdhënie me Reuters, duke pasur parasysh rolin e tij në justifikimin dhe mundësimin e vrasjes sistematike të 245 gazetarëve në Gaza”, shkroi Zink të martën përmes X.
Zink punoi si gazetare e Reuters për tetë vjet, dhe fotot e saj u botuan nga shumë media, përfshirë The New York Times, Al Jazeera dhe të tjera në mbarë botën. Ajo kritikoi raportimin e Reuters pas vrasjes së Anas Al-Sharif dhe një ekipi të Al Jazeera në Gaza, duke akuzuar agjencinë për amplifikimin e pretendimit krejtësisht të pabazë të Izraelit se Al-Sharif ishte një operativ i Hamasit.
Ajo theksoi se e ka vlerësuar punën në Reuters gjatë tetë viteve të fundit, por në këtë pikë nuk mund të vijojë të mbakë një leje shtypi me turp dhe pikëllim të thellë. Zink theksoi gjithashtu se gatishmëria e agjencisë për të përjetësuar propagandën e Izraelit nuk i ka kursyer gazetarët e saj nga gjenocidi i Izraelit.
“Ua kam borxh kolegëve të mi në Palestinë të paktën kaq, dhe shumë më tepër,” shtoi ajo.
Duke iu referuar vrasjes së gjashtë gazetarëve të tjerë, përfshirë kameramanin e Reuters, Hossam Al-Masri, në sulmin e Izraelit të hënën në spitalin Nasser në Gaza, Zink tha se rasti ishte një sulm i dyfishtë në të cilin Izraeli bombardon një objektiv civil dhe pret që të mbërrijnë mjekët, ekipet e shpëtimit dhe gazetarët që të godasë përsëri.
Zink nënvizoi se media perëndimore është drejtpërdrejt fajtore për krijimin e kushteve për këto ngjarje, duke cituar Jeremy Scahill, i cili tha se mediat kryesore – nga New York Times te Reuters – kanë shërbyer si një rrip transportues për propagandën izraelite, duke dezinfektuar krimet e luftës, duke çnjerëzuar viktimat dhe duke braktisur si kolegët e tyre ashtu edhe angazhimin e tyre për raportim të vërtetë dhe etik.