Një rafineri nafte në portin rus të Ust-Luga-s në Detin Baltik është përfshirë nga flakët pas një sulmi ukrainas me dron, tha sot guvernatori rajonal. “Dhjetë dronë u rrëzuan mbi port”, shkroi guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, në Telegram.

“Mbetjet e një mjeti ajror pa pilot shkaktuan një zjarr në terminalin Novatek”, shkroi ai, duke shtuar se shërbimet e zjarrfikësve dhe të mbrojtjes civile ishin të angazhuara në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

Novatek, një kompani prodhuese nafte dhe gazi – e lidhur me Kremlinin, ka në funksion një strukturë shumëmiliardëshe për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Gadishullin Arktik Yamal.

Terminali në Ust-Luga shndërron gazin e lëngshëm në produkte nafte si benzina ose vajguri, të cilat më pas eksportohen pjesërisht përmes Detit Baltik.

Megjithatë, Rusia gjithashtu ka nevojë për karburant aviacioni për të zhvilluar luftën e saj në Ukrainë. Për këtë arsye, terminali në Detin Baltik është sulmuar edhe më parë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume