Valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese në Mesdhe/ Tre të vdekur dhe mijëra të evakuuar

Një valë e nxehti ekstreme që ka përfshirë rajonin e Mesdheut ka shkaktuar të paktën tre viktima dhe ka detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që po përhapen me shpejtësi.
Zjarret po vazhdojnë të përhapen në shumë vende, ndërsa temperaturat kanë kaluar 40°C në disa zona. Në Spanjë, një burrë rumun rreth të pesëdhjetave humbi jetën pasi pësoi djegie në 98% të trupit teksa përpiqej të shpëtonte kuajt nga një stallë që po digjej pranë Madridit, sipas The Guardian.
Në Itali, një fëmijë 4-vjeçar ndërroi jetë në Romë pasi pësoi dëmtime të parikuperueshme në tru nga goditja e të nxehtit, pasi ishte lënë në makinë në Sardenjë.
Ndërkohë, në Mal të Zi, një ushtar humbi jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur kur një autobot u përmbys gjatë luftës me flakët në veri të Podgoricës.
Shkencëtarët paralajmërojnë se vala e të nxehtit po krijon kushte ideale për përhapjen e zjarreve dhe është një tjetër dëshmi e urgjencës klimatike. “Falë ndryshimeve klimatike, tashmë jetojmë në një botë shumë më të nxehtë”, tha studiuesi Akshay Deoras nga Universiteti i Reading.
Në Spanjë, zjarri në Tres Cantos, afër Madridit, që u përhap nga erërat prej 70 km/h dhe dogji mbi 1,000 hektarë tokë, ishte ende jashtë kontrollit të martën në mbrëmje. Janë gjetur 150 dele dhe 18 kuaj të ngordhur në zonë. Mbi 3,700 persona janë evakuuar nga 16 bashki në Castilla y León, ku një zjarr tjetër ka dëmtuar një sit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Les Médulas.
Në Galici, një zjarr i madh dogji mbi 3,000 hektarë tokë në provincën Ourense, ndërsa në qytetin jugor Tarifa, 2,000 persona u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu të hënën.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për viktimën e zjarrit në Tres Cantos dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për përkushtimin e tyre. “Rreziku i zjarreve është ekstrem,” paralajmëroi ai.
Në Portugali, zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha në veri dhe në qendër të vendit. Ndërkohë, në Greqi, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga BE, pasi erëra të fuqishme kanë përhapur flakët në Peloponezin Perëndimor, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.
Zjarret kanë prekur edhe ishujt turistikë të Jonit, Zakynthos dhe Kefalonia, ku hotelet në zonat Agala dhe Keri janë urdhëruar të mbyllen, duke detyruar turistët të largohen. Në total, dhjetëra zjarrfikës të mbështetur nga avionë dhe helikopterë vazhduan të luftonin flakët deri të martën në mbrëmje.
“Nevojitet më shumë mbështetje ajrore,” tha kryetari i bashkisë së Zakynthos. Zjarre po raportohen edhe në Epir, rreth Prevezës, dhe në rajonin e Aetolia-Acarnania.
Në Shqipëri, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qindra zjarrfikës dhe ushtarë kanë vënë nën kontroll shumicën e 40 zjarreve që shpërthyen në 24 orët e fundit, megjithatë mbi 12 janë ende aktive. Që prej korrikut janë djegur rreth 34,000 hektarë, ndërsa policia ka arrestuar mbi 20 persona për zjarrvënie të qëllimshme.
Në Kroaci, 150 zjarrfikës punuan gjatë natës për të mbrojtur banesat pranë qytetit portual të Splitit. Ndërsa në Turqi, në provincën Çanakkale, mbi 2,000 persona u evakuuan dhe 77 u trajtuan në spital për shkak të thithjes së tymit. Mbi 760 zjarrfikës dhe mbi 200 mjete janë angazhuar për të përballuar flakët.
Franca Jugore gjithashtu është prekur, me temperatura rekord të regjistruara në Bordeaux (41.6°C) dhe qytete të tjera, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të lartë.