E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës kundër Gjykatës Speciale dhe në përkrahje ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Krasniqi tha se në protestë ka dalë për t’i mbrojtur vlerat, teksa protestën e cilësoi si pak të vonshme.
“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.
“Vlerësimi im për UÇK-në s’ka ndryshuar kurrë. Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme”, tha Krasniqi për Klan Kosova.
Tutje, ajo u shpreh krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e ka pasur Kosova dhe për ushtrinë që Kosova e ka në ditën e sotme.