Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me aksidentin në punë te një subjekt minerar në Bulqizë, ku për pasojë humbi jetën 66-vjeçari F. Sh., i punësuar si ndihmës armator.
Sipas Policisë, janë arrestuar pesë punonjës të stafit teknik, me akuzën për mosmarrjen e masave dhe kushteve të nevojshme të sigurisë në punë.
Të ndaluarit janë: Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, ku dyshohet se 66-vjeçari F. Sh. humbi jetën pas rënies së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri.
Policia thotë se të arrestuarit, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për të garantuar kushtet teknike të sigurisë në subjektin minerar ndërsa akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen”
Njoftimi i plotë i policisë
“Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F. Sh., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen”, thuhet në njoftim.