Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, është dënuar me vendim të formës së prerë më 1 gusht për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë. Vendimi u mor nga një trup gjykues me tre anëtarë: Amella Huskiq, Vesna Jesenkoviq dhe Hillmo Vuçiniq.
Gjykata konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë të datës 26 shkurt, me të cilin Dodik u dënua me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione politike. Vendimi është i pakontestueshëm.
Dënimi lidhet me dekretin e nënshkruar nga Dodik për shpalljen e disa ligjeve të cilat më parë ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt. Me këto ligje, autoritetet e Republikës Sërpska tentuan të bllokonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Përfaqësuesit të Lartë në këtë entitet, shkruan klix.ba.
Ndaj vendimit fillestar kishin apeluar si Prokuroria, duke kërkuar dënim më të ashpër, ashtu edhe mbrojtja e Dodikut, e cila kërkonte anulimin e tij.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër në këtë çështje, Millosh Llukiq – ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së – u shpall i pafajshëm në shkallën e parë.
Pas shpalljes së aktgjykimit në shkurt, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi një sërë ligjesh për kufizimin e kompetencave të institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në territorin e entitetit. Si pasojë, në mars, Gjykata lëshoi urdhërarrest për Dodikun për dyshime mbi sulm ndaj rendit kushtetues.
Urdhërarrestë të ngjashëm u lëshuan edhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dhe kryetarin e Parlamentit, Nenad Stevandiq. Megjithatë, arrestimi i tyre nuk u zbatua nga autoritetet policore.
Në fillim të korrikut, Dodik u paraqit vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës së bashku me avokatin e tij, Goran Bubiq. Atij iu hoq masa e paraburgimit dhe iu caktua detyrimi për paraqitje periodike para organeve shtetërore. Më pas, edhe Vishkoviq dhe Stevandiq u paraqitën vullnetarisht dhe për ta u morën masa të ngjashme.