Qyteti Toyoake në prefekturën Aichi të Japonisë pritet t’u bëjë thirrje të gjithë përdoruesve të smartfonëve që të kufizojnë përdorimin e tyre në vetëm dy orë në ditë jashtë orarit të punës ose shkollës. Sipas draftit, kufizimi do të jetë vetëm rekomandim dhe nuk do të ketë gjoba apo penalitete për ata që e tejkalojnë.
“Qëllimi është parandalimi i përdorimit të tepërt të pajisjeve që shkakton probleme fizike dhe mendore, përfshirë edhe çrregullimet e gjumit,” tha kryebashkiaku Masafumi Koki.
Sipas propozimit, nxënësve të shkollës fillore do t’u kërkohet të mos përdorin telefonat pas orës 21:00, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme dhe më të rriturit pas orës 22:00.
Megjithatë, nisma ka ngjallur revoltë të madhe online, ku shumë qytetarë e cilësuan planin si të paarritshëm. “E kuptoj qëllimin, por dy orë janë të pamundura,” shkroi një përdorues në platformën “X”.
“Në dy orë nuk arrij as të lexoj një libër apo të shoh një film në telefon,” shtoi një tjetër.
Disa të tjerë thanë se përdorimi i telefonave duhet të mbetet vendim i familjeve dhe jo i autoriteteve. Projektligji do të shqyrtohet javën e ardhshme dhe nëse miratohet, do të hyjë në fuqi në tetor.
Në vitin 2020, prefektura Kagawa miratoi një vendim të ngjashëm, duke kufizuar fëmijët në një orë lojëra në ditët e javës dhe 90 minuta gjatë pushimeve shkollore, si dhe ndalimin e përdorimit të smartfonëve pas orës 21:00 për moshat 12-15 vjeç dhe pas orës 22:00 për ata mbi 15 vjeç.
Sipas një ankete të publikuar në mars nga Agjencia e Fëmijëve dhe Familjeve, të rinjtë japonezë kalojnë mesatarisht mbi pesë orë në ditë online gjatë javës.