Një viktimë e abuzimit seksual në fëmijëri, e njohur me emrin “Zora”, i ka bërë thirrje të hapur Elon Muskut që të ndërhyjë personalisht për të ndaluar përhapjen e imazheve të abuzimit të saj në platformën X (ish-Twitter), në pronësi të tij.

Zora, e cila u abuzua nga një anëtar familjar më shumë se 20 vite më parë në SHBA, thotë se lidhjet që çojnë tek imazhet e saj po shpërndahen ende sot në X, duke u përdorur për përfitime financiare nga tregtarë të materialeve abuzive ndaj fëmijëve.

“Trupi im nuk është mall. Nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë asnjëherë,” – thotë ajo. “Ata që shpërndajnë këtë material nuk janë spektatorë pasivë, janë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë në krim.”

Një hetim i BBC-së zbuloi një llogari në X që ofronte për shitje mijëra imazhe e video të abuzimit seksual të fëmijëve, përfshirë edhe ato të Zorës. ‘Tregtari’ operonte përmes aplikacionit Telegram dhe kishte mbi 100 llogari të njëjta në X, të cilat rihapeshin vazhdimisht pas çdo mbylljeje nga platforma.

Grupi “Anonymous” dhe Qendra Kanadeze për Mbrojtjen e Fëmijëve ndihmuan në gjurmimin e tij, që dyshohet se vepronte nga Indonezia. Ai ofronte “paketa VIP” për pedofilë nga e gjithë bota, duke përdorur imazhe të viktimave si Zora si “material prove”.

Zora thotë se ka jetuar nën hije për vite me radhë, ndërsa ndjekës dhe përdhunues digjitalë e kanë kërcënuar e përndjekur online. “Më kanë vjedhur fëmijërinë dhe ende ndjehem e ndëshkuar për një krim që nuk e kam kryer.”-thotë ajo.

Platforma X thotë se ka “zero tolerancë për përmbajtje që lidhet me abuzimin seksual të fëmijëve” dhe se bashkëpunon me autoritetet, por ekspertët paralajmërojnë se reagimet e kompanive janë ende minimale dhe shpesh të vonuara.