Viola Ramadani: Gjuha e urrejtjes bëhet edhe më e rrezikshme kur duartrokitet nga vetë kryeministri
Koordinatorja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), Viola Ramadani, ka reaguar pas skandalit të thirrjeve ksenofobe ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes Maqedoni–Rumani në Kumanovë. Ajo kritikoi ashpër jo vetëm heshtjen institucionale, por edhe reagimet sipërfaqësore të përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri.
“Po. Krejt jemi dakord se gjuha e urrejtjes është e dëmshme. Por, ma e dëmshme bëhet kur ajo duartrokitet nga vetë kryeministri, ndërsa shqiptarët që i votuam, në mungesë të kapacitetit dhe fuqisë për të na dalë zot në institucione, tentojnë ta kamuflojnë këtë me postime në fejsbuk të përgatitura nga ChatGPT,” deklaroi Ramadani.
Ajo paralajmëroi se pakënaqësia do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme: “Nuk do të kalojë! Sepse tetori është afër ndërsa ne kemi aleancë me popullin.”