Një grua e moshës 32 vjeçare dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht nga vjehrri i saj 62 vjeçar dhe kunata e moshës 20 vjeçare.

Sipas një njoftimi për media nga Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën në Ferizaj.

Tutje në raport thuhet se si pasojë, viktimës i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe ajo ka pranuar tretman mjekësor.

“Lëndimi i lehtë trupor dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ në Ferizaj. Më datën 17.08.2025, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar për një rast të ‘Lëndimit të lehtë trupor’. Pala e dëmtuar, një femër 32-vjeçare, ka deklaruar se në shtëpinë e saj ishte keqtrajtuar fizikisht nga vjehrri 62-vjeçar dhe vajza e tij 20-vjeçare, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me pronësinë e një veture. Si pasojë, viktimës i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe ajo ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se njësiti i hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri – pushkë automatike me dy karikatorë.

“Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar nga hetuesit policorë. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tyre është iniciuar rast për veprat penale: ‘Lëndimi i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet ndër të tjera në njoftim.