Dje, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi për themelimin e shkollës fillore komunale “Azem Morana” në fshatin Moranë të Komunës së Studeniçanit, një ngjarje me peshë të madhe historike, emocionale dhe kombëtare.

Ky nuk është thjesht një vendim administrativ. Ky është një akt nderimi për sakrificën dhe përkushtimin e një figure të ndritur të historisë sonë kombëtare, Azem Morana, mësuesi dhe patrioti që e vuri jetën në shërbim të dijes dhe lirisë, dhe që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë.
Shkolla “Azem Morana” do të jetë shumë më tepër se një institucion arsimor. Ajo do të jetë një tempull i kujtesës, një fener i dijes dhe ndërgjegjes, një vend ku do të ndërtohen brezat e ardhshëm me ndjenjën e thellë të përkatësisë, krenarisë dhe respektit për ata që dhanë gjithçka për gjuhën dhe arsimin shqip.

Ky vendim është borxhi ynë moral dhe institucional, që vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë dhe VLEN për ta kthyer dinjitetin e harruar të shqiptarëve në institucionet shtetërore, për ta nderuar sakrificën me vepra konkrete dhe për t’i dhënë arsimit statusin që i takon në shoqëri.
Ne besojmë thellë se një komb që nderon mësuesit dhe martirët e dijes, ndërton një të ardhme të ndritur.

Dhe sot, në Moranë, është hedhur një gur themeli jo vetëm për një shkollë, por për një brez të ri që do të rritet nën frymën e Azem Moranës: me dije, me dinjitet dhe me përkushtim ndaj kombit.

Përjetësisht mirënjohës dhe falënderues ndaj jetës, veprës dhe frymës së Azem Moranës. VLEN për arsimin, VLEN për dinjitetin, VLEN për historinë që s’duhet harruar!