Editorial nga PressOnline.al
Nuk është më sekret. Nuk është më as rastësi. VMRO-DPMNE ka zgjedhur VLEN-in sepse e di që është i dobët, i paqëndrueshëm dhe i përkulur. Sepse vetëm një “partner” i tillë mund të përdoret për t’i zhveshur shqiptarët nga çdo fuqi reale në këtë shtet. Vetëm një kukull pa kurriz mund të shërbejë si alibi për një shtet që planifikon të kthehet pas në kohë – në kohën kur shqiptarët ishin thjesht qytetarë të dorës së dytë, shkruan PressOnline.al
Dobësia është qëllimi
VLEN-i nuk është përfaqësim i shqiptarëve. Është projekti i VMRO-së për ndarjen e shqiptarëve në copa, për ta shpërbërë fuqinë e tyre politike kolektive, për ta shuar çdo potencial rezistence dhe për t’i kthyer në një segment të padëmshëm dhe të heshtur të sistemit. Ata nuk kanë mandat nga shqiptarët. Ata kanë leje nga VMRO-ja.
Dhe kjo “leje” ka vetëm një kusht: mos kërkoni shumë, mos e ngrini zërin, dhe për çdo gjë pyesni Hristijanin.
Institucionet po pastrohen etnikisht – VLEN-i mban shami e hesht
Sot, shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga postet kyçe. Strukturat drejtuese po “maqedonizohen”, buxhetet po ridrejtohen, dhe vendimmarrja po centralizohet nën VMRO-në. Dhe çfarë bën VLEN-i? Mban konferenca për shtyp për emërime të vogla dhe feston si fitore thërrime që bien nga tryeza e zotërisë.
Në vend që të jenë zë i shqiptarëve, janë surdë politikë me mendjen tek kolltuku, jo tek kombi.
VMRO e di saktësisht çfarë bën – VLEN e pranon me vetëdije
VMRO-ja nuk është naive. Ajo ka një projekt: një shtet etnikisht i pastër në majë, me një partner të dobët shqiptar që s’bën zhurmë poshtë. VLEN-i është formula perfekte për këtë projekt. Pa vizion, pa strukturë, pa guxim.
Pse mendoni se zgjodhën VLEN-in? Sepse është e vetmja strukturë që s’e kundërshton kurrë VMRO-në për Ligjin për gjuhën shqipe. S’kërkon as balancë në gjykata. S’përmend as barazi në arsim, polici, diplomaci, apo në ndarjen e buxhetit. Janë aty për të plotësuar numrat, jo për të mbrojtur shqiptarët.
VLEN nuk është pozitë – është pjesë e makinerisë që po e zhbën shqiptarësinë institucionale
Të mbështesësh VLEN-in sot, do të thotë t’i japësh VMRO-së dritë jeshile për t’ua mbyllur gojën shqiptarëve. Do të thotë të votosh për asgjësimin gradual të çdo të drejte kolektive shqiptare që është fituar me dekada përpjekje.
VLEN-i nuk është thjesht i paaftë – është bashkëpunëtor në një projekt të VMRO-së që ka nisur të zbatohet pa ndalur.
VMRO-ja i do shqiptarët të vegjël, të ndarë dhe të heshtur. Dhe për këtë qëllim ka zgjedhur VLEN-in. Sepse e di që nuk do të kërkojnë shumë. Sepse e di që do ta ruajnë pushtetin personal me çdo kusht. Në këtë shtet, të jesh shqiptar do të thotë të luftosh çdo ditë për të mos u zhdukur politikisht. Me VLEN-in, shqiptarët nuk po përfaqësohen – po fundosën.