VMRO-DPMNE akuzon se prokurori Kocevski po vepron si ekzekutues partiak i LSDM-së dhe BDI-së, në vend që të jetë një organ i pavarur në shërbim të drejtësisë.

“Mosvotimi i interpelancës në Kuvend tregoi qartë se LSDM e sheh Kocevskin si mbrojtës nga përgjegjësia penale për funksionarët e saj,” thuhet në reagimin e partisë.

Sipas tyre, në zyrën e Kocevskit nuk sundon drejtësia, por një listë për mbrojtjen e figurave të afërta me pushtetin. Dyshimet për korrupsion nuk hetohen, lëndët nuk hapen, ose bllokohen në labirintet e prokurorisë.

VMRO-DPMNE thekson se Kocevski nuk ka as ndershmëri morale e as përgjegjësi profesionale për të dhënë dorëheqje, edhe pse ka më pak se 2% besim nga qytetarët dhe ndaj tij është votuar interpelancë në Kuvend.

“Kocevski po mban drejtësinë peng për interesa të LSDM-së dhe BDI-së. Ai ruan lëndët që lidhen me funksionarë të afërt me Filipçen, Zaevin dhe të tjerë, duke i mbrojtur nga ndjekja penale. Prokuroria është kthyer në strehë politike, jo në institucion të drejtësisë,” përfundon deklarata.(INA)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume