Një vrasje e trefishtë ka ndodhur ditën e diel në Gjilan.

Viktimat janë: Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir), si dhe Abedin Hoxha.

Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë Kosovën.

Në lidhje me këtë rast tragjik, në kërkim policor janë shpallur tre persona: Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonisi dhe Engulli që ende nuk janë kapur nga policia.

Dyshohet se fajdja ishte arsyeja që çoi në shkrepjen e armëve, ku humbën jetën tre persona.

Në një konferencë për media, drejtori rajonal i Policisë në Gjilan Adnan Rukiqi, dje bëri të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe është kërkuar bashkëpunim ndëkombëtar.

Rukiqi tha se janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle me dyshimin për vendndodhjen e të dyshuarve, por ata ende nuk janë gjetur.

I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është person i njohur për organet e drejtësisë dhe ka mbi 30 vepra për raste të ndryshme, përfshirë sulme, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, deklaroi për media se menjëherë pas marrjes së informacionit kanë ndërmarrë veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe janë realizuar urdhërkontrolle, por të dyshuarit nuk janë gjetur.

Sa i përket motivit të ngjarjes, Sadiku ka deklaruar se është ende herët për të dhënë detaje, pasi do të merren në pyetje të dëmtuarit dhe do të vazhdohet me hetime.

Nga ngjarja e rëndë janë plagosur katër persona, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë.

Njëri nga viktimat vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët në spitalin rajonal të Gjilanit.

Një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa një i pestë ka pësuar lëndime me mjete të forta dhe jo me armë zjarri.

Derisa sot, do të varroset Abedin Hoxha, njëri prej viktimave nga kjo ngjarje makabre.