Pas intervistimeve fillestare, policia ka liruar tre nga katër personat e arrestuar lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi në Tetovë, ku mbeti i vrarë një 46-vjeçar dhe u plagosën katër të tjerë. Si i vetmi i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre të rëndë ka mbetur një 15-vjeçar. Aktualisht, ai po merret në pyetje në Gjykatë, në prani të avokatit të caktuar nga Qendra për Punë Sociale dhe përfaqësuesve të shërbimeve sociale.

Gazetari i portali TS, Nevrij Ademi dje arriti të bëjë edhe skenarin e vrasjes ku mbeti i vrarë një person dhe katër të plagosur.

Fillimisht, vetura ka qenë e parkuar. Më pas, në të hipin personat me inicialet F.R 46 vjeç dhe R.T. 37 vjeç. Pas disa sekondash, afrohet një veturë tjetër, me targa të Tetovës, dhe ndalon pranë veturës Golf 5. Nga kjo veturë hapet zjarr me armë automatike (kallashnikov) në drejtim të Golfit, brenda së cilës ndodheshin si shofer F.R. dhe si pasagjer R.T.

Pas të shtënave me kallashnikov, vetura Ford Focus largohet me shpejtësi nga vendngjarja. Menjëherë më pas, pasagjeri R.T. del nga vetura dhe qëllon me pistoletë në drejtim të veturës së bardhë me targa të Tetovës.

Sipas raportit të policisë dhe dëshmitarëve, gjatë arratisjes, vetura Ford Focus përfshihet në një aksident, duke lënduar një burrë rreth moshës 60-vjeçare me inicalet A.S dhe më pas zhduket në drejtim të panjohur.

Nga të shtënat me armë zjarri, një kalimtar i rastit i moshës 32 vjeç me inicalet O.O x është lënduar nga plumbat e pistoletës, ndërsa nga të shtënat me kallashnikov është plagosur një vajzë e mitur D.R 12-vjeçare që ndodhej në kuzhinën e një lokali përreth.

Ky është skenari i ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Tetovë, ku mbeti një person i vrarë dhe katër të tjerë të plagosur.

Ndërkohë, sot policia, me përforcime nga njësitë speciale, po kontrollon çdo lagje dhe çdo hyrje-dalje në qytetin e Tetovës dhe sipas disa informacioneve jozyrtare janë kapur disa persona si të dyshuar.