Më 5 gusht 2025, rreth orës 00:50, në Spitalin Psikiatrik të Shkupit në Bardovc, ka ndodhur një përleshje e rëndë fizike mes dy të dënuarve në repartin gjyqësor të këtij institucioni.
Sipas denoncimit në SPB Shkup, konflikti shpërtheu ndërmjet D.S. (35) nga Negotina dhe I.T. (62) nga fshati Lubanc i Shkupit. Gjatë përleshjes, D.S. dyshohet se ka goditur I.T.-në me një shishe qelqi, duke e lënë pa ndjenja. I lënduari u transferua menjëherë në Qendrën e Urgjencës në Klinikën “Nëna Terezë”, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij në orën 02:20.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për autopsi, ndërsa D.S. është ndaluar në vendin e ngjarjes. Ai rezulton të jetë i dënuar për veprën penale “Vrasje”, ndërsa viktima I.T. ishte i dënuar për “Dhunë në familje”.
Hetimet janë në vijim dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet kallëzimi përkatës penal ndaj autorit.TS