Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Jens Laerke ka thënë se qindra kamionë me ndihma humanitare do të nevojiten në Gaza për muaj dhe ndoshta edhe vite që vijnë për të lehtësuar mungesat e mëdha të ushqimit dhe furnizimeve bazë.
“Nevoja brenda Gazës është e tillë që duhet të ketë qindra e qindra, më shumë kamionë. Jo vetëm çdo ditë, jo vetëm çdo javë, por për muaj, ndoshta edhe për vite me radhë”, është shprehur ai.
Bllokada dhe ofensiva ushtarake e Izraelit e kanë bërë pothuajse të pamundur shpërndarjen e ndihmave në mënyrë të sigurt, raporton Sky News.
Izraeli vendosi pauza të kufizuara në luftimet në pjesë të Gazës për të lejuar hyrjen e kamionëve dhe lejoi që dërgesat ndërkombëtare nga ajri të fillonin javën e kaluar.